In Memorian / Myqerem Fuga, personalitet i shquar me vlera dhe kontribute të veçanta për shoqërinë
Në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta
Zylyftar Hoxha
Është e i çuditshëm një fakt, që, në kohën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Ramiz Aranitasin, Gjin Markun, Myqerem Fugën, Skënder Çaçin, Baki Dumen, Dhosi Karagjozin, Bardhyl Frashërin e disa të tjerë, megjithëse kanë qenë me origjinë nga rrethe të tjera, Skrapari i ka quajtur si djemtë e tij dhe i ka dashur, i do dhe i nderon njëlloj si Kahremanin, Zylyftarin, Estrefin e shumë e shumë të tjerë, sepse, jo vetëm ata qenë në një llogore me djemtë e barkut të tij dhe mysafirë në shumë vatra fshatare, por edhe se ditën t’ia shpërblenin atij populli me gjithçka patën, deri dhe jetën.
Këtë radhë e këmi fjalën për Myqerem Fugën, i cili nuk u nda nga skraparllinjtë asnjë herë, nga KahremanYlli, Zylyftar Veleshnja, Sulo Gradeci, Mane Nishova, Nure Dobrusha, Njazi Çepani, Tajar Grepcka, Iljaz Sevrani, Shkëlqim Zaloshnja, Ismail Çelua etj. Si në Luftë, por edhe më pas, i shkonim njëri-tjetrit “për një gjemb në këmbët”.
Shtëpia e Fugajve ishte një shtëpi e madhe dhe me shumë miq dhe në kohën e luftës u bë një bazë e rëndësishme e saj.
Myqeremi, për shkak të inteligjencës, por edhe të motiveve të tij të brendshme, i prerë dhe energjik si i ri idealist, u vu në krye të organeve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Qarkut të Beratit qysh në fillimet e luftës. Ai ishte një nga drejtuesit kryesorë të Qarkorit të PKSH dhe Shtabit të Qarkut të Beratit si dhe krahu i djathtë i Kahreman Yllit.
Gjatë Luftës me Kahreman Yllin
E ku nuk e shihje Myqeremin? Si propagandist me kulturë, me urtësinë e tij, gojëmbël e i fjalëmatur, Myqeremi fitoi zemrat, simpatinë dhe besimin e popullit në të gjithë qarkun e Beratit, në Shpirag, Kuçovë, Lushnje, Nahije, Skrapar e Tomorricë.
Kishte një diçka të veçantë Myqeremi në karakterin e tij, ai kishte një engjëll të dashur me të tërë, popullor e i shtruar, ndaj dhe kishte rezultat në punën e tij për mobilizimin e njerëzve në luftë. Ku shkelte Myqeremi, s’kishte mëdyshje. Dinte ai si t’i bënte njerëzit për vete. Por dinte edhe se ku e kishte mbështetjen.
Atë do ta gjeje sa te familja e Sinan Leshnjes, e njohur për kontributin në shërbim të atdheut, aq te shtëpia e Pasho Hysit në Vërzhezhë; sa në familjen e madhe atdhetare Zaloshnja, të Mahmutit e Hysenit, te Asllan Osoja e te shumë vatra të tjera skraparase.
Myqerem Fuga u lind dhe u rrit në lagjen Murat Celepia të Beratit. Kreu shkollen normale të Elbasanit dhe u diplomua si mësues. Më pas ai shkoi jashtë vendit, në Firence të Italisë, ku shkoi për Letërsi, por që i ndërpreu studimet për t’u kthyer në atdhe nën ndikimin e ideve antifashiste të Qemal Stafës dhe të tjerëve, duke iu bashkuar luftës për çlirim.
Ky bagazh kulturor i Myqeremit, i Kahremanit dhe shumë kuadrove të Shtabit të Qarkut të Beratit, bëri që në zonën e Myzeqesë, Beratit dhe Skraparit të krijoheshin disa formacione partizane me të rinj e të reja, të mbaheshin pozicione të qarta dhe të palëkundshme me forca të tjera, por sidomos me Ballin, si dhe të garantoheshin me fitore të gjitha betejat me armikun.
Myqeremi ishte edhe një nga organizatorët e këtij formacioni të fuqishëm të krijuar më 17 mars të vitit 1944. Në shtabin e kësaj brigade atij iu ngarkua një detyrë shumë e rëndësishme dhe delikate për kohën, ajo e përgjegjësit të Seksionit Politik, funksion që e kreu edhe më pas kur u formua Divizioni VIII Sulmues.
Domosdo edhe këtu ai shpalosi aftësitë e mëdha si agjitator dhe organizator i talentuar në detyrën e ngarkuar. Ai ka qenë i pashkëputur në të 121 luftimet që ka zhvilluar Brigada e 7-të Sulmuese, një nga brigadat me më shumë aksione se të gjitha brigadat e tjera partizane, por që, për shkak të modestisë së tepruar të kuadrove kryesore të saj, nuk iu dha titulli hero si disa formacioneve të tjera, që jo se nuk e meritonin, por për hir të së vërtetës, Brigada e 7-të ka mbajtur një peshë të jashtëzakonshme në Luftë, gjë që e tregon më së miri historiku i saj. Sepse vetëm jashtë kufirit të atdheut tonë kanë dhënë jetën 102 dëshmorë.
Në të gjithë veprimtarinë e tij luftatarake ai pati pranë vetes në krah edhe bashkëshorten e tij, partizanen legjendare, Shpresa Fugën (Hoxha). Shpresa ishte një luftëtare me veprimtari të dendur në zonën Berat, Lushnje, Fier, Skrapar, si anëtare e Qarkorit të Partisë Komuniste, ngarkuar me punën me vajzat dhe gratë pas vrasjes së Margarita Tutulanit.
Si çift ishin miq e shokë në të mira dhe në të këqia për dekada të tëra me bashkëluftëtarët e zonave ku kishin luftuar edhe pas çlirimit të vendit, deri në ndarjen e tyre nga jeta.
Lufta e veçoi Myqeremin dhe e bëri një personalitet të njohur dhe me zë. Dhe për njerëz të tillë vendi dhe shoqëria e ardhshme kishte shumë nevojë. Pas çlirimit ai kreu disa detyra e funksione të larta shtetërore e shoqërore, drejtor i Kuadrit në Ministrinë e Financave në vitet 1945-46; anëtar dhe nënkryetar i Komisionit të Planit të Shtetit 1946-53; president i Bashkimit të Kooperativave të Konsumit çka merrej me tregtinë dhe sipërmarrjet artizanale.
Me krijimin e Institutit të Studimeve Ekonomike pranë Këshillit të Ministrave, ai vendoset drejtor i këtij institucioni; më pas kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ministër i Industrisë së Lehtë e Ushqimore etj. Ka qenë për disa legjislatura rresht deputet i Kuvendit Popullor në rrethin e Beratit. Për kontribut të veçantë, ai është dekoruar me trembëdhjetë urdhra dhe medalje të Luftës dhe të Punës.
Edhe pas daljes në pension në vitin 1981, Myqeremi nuk rreshti së punuari, përkundrazi ai u shqua si një veprimtar shoqëror, duke mbajtur funksionet e sekretarit të Përgjithshëm dhe nënkryetarit të Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it.
Myqeremi ka përfaqësuar vendin tonë si anëtar i Byrosë së Federatës Ndërkombëtare të Rezistencës në Vjenë, nënpresident i Këshillit të Përgjithshëm të Buhenvald Dore me qendër në Paris; ka përfaqësuar Organizatën e Veteranëve shqiptarë në disa kongrese e mbledhje ndërkombëtare etj. si dhe kishte bashkëpunim të ngushtë me veteranët italianë të batalionit partizan “Antonio Gramshi”.
Shënim:
Ky shkrim është botuar sot edhe në gazetën “DITA”