KëndVështrim: Lagjja “Hasan Seitaj” – Çorovodë

KëndVështrim: Lagjja “Hasan Seitaj” – Çorovodë

Ndodhet në pjesën verilindore të qytetit të Çorovodës, në degën e lumit që vjen nga malet e Ostrovicës dhe Faqekuqit dhe grykëderdhjen e Përroit të Mollasit, me kufi hidrocentralin e vjetër dhe vilat qeveritare në jugperëndim dhe burimin ujëshumë të Guhakut në verilindje.

 

E gjithë kjo zone, që quhej Fusha e Mollasit, ka qenë pronë private e fisit të Lamçeve, Xhaferrajve nga Mollasi dhe Koprënckave  (Vilat qeveritare dhe fusha e sotme e sportit). Të gjitha këto prona janë shtetëzuar pas çlirimit.

 

Kjo lagje mban emrin e dëshmorit Hasan Seitaj (Shkëmbi) nga Radëshi, emër që ka që ka zënë aq vend sa shekuj të kalojnë nuk do të mundin ta zhbëjënë dot.

Në vitet e socializmit ishte zona industriale dhe strategjike e qytetit. Këtu ndodheshin, përveç ndërmarrjes bujqësore, të ndërtimit dhe asaj të fararërave,  pothuajse të gjitha ndërmarrjet e tjera të prodhimit dhe të shërbimit si ndërmarrja e Grumbullim- Përpunimit, fabrika e rrushit dhe e verës, fabrika e miellit, magazinat e tregtisë, Ndërmarrja Komunale, Shtypshkronja, SMT – ja, ndërmarrja Pyjore, Ndërmarrja e Bonifikimit, Parku I Mallrave, Magazinat e Guhakut, çerdhe, kopsht fëmijësh etj.

 

Ishte edhe lagje me karakter strategjik, pasi këtu ndodheshin objekte të rëndësisë së veçantë që do të përdoreshin në kohë lufte, si tunelet e Thesarit të Shtetit, Arkivi i Shtetit, Shtypshkronja, hidrocentrali që punonte me ujin e Guhakut, Frigoriferi, vilat qeveritare, Tunelet e Guhakut etj. etj.

 

Kjo lagje dikur ka qenë e banuar vetëm nga pronarët e dikurshëm, Lamçellarët, Xhaferrajt dhe disa të tjerë që erdhën këtu në fund të viteve ’50 të shekullit të kaluar si: Shaqir Kaipnova, Selim Koleci, Haxhi Xhaja, Zylfo Faqekuqi, Neim Met’hoxha, Zenel Dyrmishi, Skënder Bakiasi etj.

 

Më vonë kjo lagje u popullua me punëtorë të ardhur nga fshati që punonin në këto ndërmarrje, duke u strehuar fillimisht nëpër baraka dhe anekse të ndërmarrjeve përkatëse, të cilat ata i zgjeruan dhe i përshtatën hap pas hapi për banim.

 

Tani kanë ndodhur ndryshime të shumta infrastrukturore që e kanë bërë këtë lagje atraktive për banim, por edhe të bukur dhe panoramike nga pamja, siç e tergojnë edhe këto foto. (Z.H.)