Ku po shkon pa dashuri!?…

Ku po shkon pa dashuri!?…

 

Pjesëza eseistike e më poshtme është marrë nga libri “Ku po shkon pa dashuri” i Sefedin Çelës. Është ajo pjesëz -sintezë që i ka dhënë edhe titullin gjithë librit.

 

 

Është rasti për të thënë se libri “Ku po shkon pa dashuri” i Sefedin Çelës, është  një libër i veçantë, jo thjesht nga pikëpamja formale e lëndës që përmban, por, sidomos, nga cilësia e kësaj lënde dhe, për më tepër, nga polivalenca e tekstit, e cila thyen kufijtë midis dy ndarjeve të mëdha të literaturës: Fiction dhe Nonfiction.

 

Dhe këtë bashkëjetesë, ku arti përjetohet si realitet dhe realiteti si art, mund ta servirin vetëm mjeshtërit e penës.

 

Administratori i “Orakujve…”

 

 

 

Ku po shkon pa dashuri?

 

 

 

Sefedin Çela

 

 

Nga fundi i këtij maji u shfaq në fb një postim i Beqir Skrelit, të dy të njohur të hershëm, që ky rrjet social na afroi, jo se shkurtuam distancat virtualisht po për ndjeshmëri të përbashkëta, nga ato që i ke verifikuar në vite, si të kesh ndarë bashkë pikën e ujit kur je i etur, apo ke ndarë dhimbjen në hall a ke ndarë të qeshurën në gaz.

 

 

Këto vite ai në emigracion e unë këndej, në postime sikur kemi matur pulsin e njëllojtë të njëri-tjetrit.

 

 

“Ku po shkon pa dashuri”, ishte postimi i tij, një poezi e grekut Kostas Pretenderis, me një shënim të pazakontë në fund “U mundua ta përkthejë nga greqishtja në shqip Beqir Skreli”, si i mbetur në kryqëzim rrugësh pa ditur nga të shkojë, e më tej thotë “sado i fuqishëm teksti i kësaj kënge, nuk e mbush dot titullin “Ku po shkon pa dashuri”?!. Skreli guxon e thotë se kjo është kryepyetja e jetës. Është si të pyesësh njëkohësisht ku po shkon pa këpucë, pa busull, pa kamardare shpëtimi, pa lekë në xhep, pa bukë, pa mend në kokë etj.

 

 

“Ku po shkon pa dashuri, /Nëpër natë e nëpër shi, /Rrugën si do ta gjesh ti, /Moj e shkreta zemra ime”?

 

 

Një komentues, duke qenë në një mendje me autorin e përkthyesin, ndjen një paralajmërim apokaliptik për individin a shoqërinë që pëlqen të ecë kuturu pa dashuri. Një tjetër thotë se të pyesësh ku po shkon pa dashuri një që ecën në driza është si t’i thuash ku po shkon zbathur.

 

 

Dhe miku im i vjetër, Llazar Vero, që e gjeti veten në provë vitin që kaloi, komenton: E lexova me zë, jo vetëm për vete. Desha ta dëgjonte dhe dikush tjetër. Por isha vetëm: ndjeva vibrimin e ajrit përreth…

 

 

Në këtë moshën time mund t’i marrësh gjërat gjysmë seriozisht, me një sens humori, edhe për të zënë kohën, apo duke menduar një ditëlindje,të nipit Tristan a të mbesës Lora, në këtë rast, si një kryepreokupim. Kjo e fundit, ditëlindja, me ktheu te kjo temë, sado larg nga njëra-tjetra të duken. T’i shikosh gjërat filozofikisht, me një dozë vetë-ironie, them se të bën mirë për shëndetin e të mbush njëzetëekatërorëshin e gjatë prej pensionisti.

 

 

Sot e nesër, teknologjia, pasuria, marrëdhëniet e interesit, efekti serë, liria e individit, liria vetë në tërë dimensionet, nuk e vjetrojnë e as e zëvendësojnë dashurinë, levën e Arkimedit që përmbysi e ndau përfundimisht marrëdhëniet e njeriut nga bota e katërkëmbëshave, zvarranikëve a çdo gjallese tjetër mbi tokë. Nuk lind e bëhesh burrë a bëhesh grua, bëhesh prind, gjysh a gjyshe pa dashuri. As nuk vdes pa dashuri. Është dhimbja në mes, një binom që të shoqëron gjithë jetën e që e bën atë jolineare, me diell e me shi, me katër stinë.

 

 

Bota e sotme sikur është zvjerdhur nga kjo ndjenjë delikate në dukje, po që mund të jetojë edhe nën hi, e pashuar kurrë, si një shpresë, që dikur vjen, me një fuqi që të ringre nëse përkohësisht je rrëzuar. Materializmi i sotëm, që ka tronditur thellë marrëdhëniet njerëzore në komunitet, të familjes, marrëdhëniet në çift, marrëdhëniet prind-fëmijë, nuk ka zëvendësuar dot nevojën për dashuri, për ngrohtësi njerëzore, për një sup ku të mbështetesh, sepse kjo nuk ka lidhje me xhepin plot e stomakun plot, nuk është një servis ku mund të shërbehesh në këmbë.

 

 

Historia njerëzore është mbushur me përpjekje pa fund për t’ia dalë. Jeta ka mbirë mbi gur. Njeriu ka mbijetuar se ka ndjerë dikë pranë, dikë që kur e ka dashur hera edhe ka sakrifikuar jetën, e herë të tjera kanë ndërtuar jetë e themele bashkë.

 

 

Mitet thonë se Sizifin perënditë e dënuan të ngjiste tërë jetën një gur në male e të mos arrinte kurrë në majë. Nuk thuhet për ç’faj e dënuan po thuhet se e bënë për ta rrënuar, për t’i vrarë shpresën. Një mendje e ndritur si A. Kamy thotë se absurdi i këtij miti qëndron në faktin se dhe vete Sizifi e dinte që do të ishte skllav i gurit e që, një çast sikur të mos e shtynte, do të rrokullisej bashkë me të e nuk do të arrinte kurrë në majë e, megjithatë, e bëri.

 

 

Mendja ime prej vdekatari të zakonshëm thotë se miti ka mbërritur deri në ditët e sotme jo si një fatalitet, po si një përpjekje për të mos u dorëzuar kurrë. Si një sakrificë. Në kohet moderne këtë histori e solli Hemingueji, te Plaku dhe Deti, ku peshkatari i tij, pas një lufte të gjatë me gjahun e paparë ndonjëherë, më në fund u kthye me një skelet: peshkaqeni e la duarthatë, me mundin shkuar dëm.

 

 

Nihilistët, kohëbjerrësit, frikacakët e shohin këtë betejë në fund të jetës te një plaku si një dava të humbur. Gjithë ai mund për një skelet! Mesazhi i Heminguejit është gjetkë: në jetë nuk mund të fitosh çdo betejë, po nuk mund të fitosh asnjë nëse nuk përpiqesh. Dhe përpjekjet më të mëdha i bëjnë ata që duan. Që u dhemb humbja e atyre që duan. Që për të mbërritur diku ku do, duhet së pari të nisesh.

 

 

Në ditët më të vështira të jetës, kur ndihesha si me sindromën e gjymtyrës fantazmë, – thjesht të kanë hequr një gjymtyrë e ty të duket se e ke akoma e të dhëmb më shumë se çdo herë, – një mbrëmje desha të humbas mendjen e dola të sorollatesha rrugëve të Tiranës. Duket se humba; nuk po dija ku isha e si të kthehesha në shtëpi

 

Mora në telefon një mik të vjetër, Arshinin.

 

– Kam humbur, – i thashë, eja më merr!

 

– Mos ke provuar gjë nga ajo flaka? – pyeti ai.

 

– Asnjë pikë, – thashë, – po mendjen e kam sikur kam pirë një okë, vetëm se nuk më merren këmbët.

– Po ku je? – pyeti përsëri ai.

 

– Ta dija kthehesha vetë, – i thashë, – shoh ca si fasha drite mbi ujë, duhet të jem diku anës Lanës. Bjeri rrotull Unazës e diku do të më gjesh…

 

 

Kisha pësuar një humbje të madhe, aq të madhe sa dhimbja të kujton se e keqja nuk vjen kurrë vetëm, se njeriu ka ende shumë për të humbur, madje edhe mendjen.

 

 

Një njeri që nuk ka frikë asgjë është një njeri që nuk do asgjë. Shihja për rreth e nuk gjeja ç’të shquaja; errësirë. Shihja në qiell e nuk shquaja asgjë që njihja; errësirë. Kisha humbur yllin tim.

 

 

Arshini më gjeti diku te Bërryli; një zot e di se ç’desha te Bërryli! I thashë se i humbur ndihesha edhe në shtëpi, i rrethuar nga dhjetëra metra katrorë hapësirë, dysheme, mure, dyer e tavane, një humbëtirë ku vërtitesha ditë pas dite. Nuk kishte qenë kështu dikur, po fëmijët një ditë fluturuan e fati i çoi larg, nëna e gruaja ikën njëra pas tjetrës e pas tyre avulluan të gjithë, së pari kushërinjtë e kushërirat e me radhë, se sa më shumë frymë të kesh në shtëpi aq më shumë të afërm të mblidhen.

 

 

I mbetur vetëm ndihesha si i harruar dhe prej Zotit. U mësova me vetminë, me të cilën mund të merreshe vesh dhe pa folur.

 

 

– Je mbyllur si Osa Kuka, – më tha Arshini. – E nga kush mbrohesh; nga vetja? Ke humbur besimin!

Secili e sheh botën për rreth në mënyrën e vet; mua më dukej gjithçka gri, njerëz që vërtiteshin kot, pa bërë asgjë, të lindur të lodhur, që nuk kishin punë po as që donin të punonin, hyr e dil nga një tunel pa fasha drite as në hyrje as në dalje.

 

 

– Duket sikur tani që të dy jemi në Ferr, – vazhdoi Arshini, – po nuk është ashtu. Thonë se edhe djalli është katran e i zi, po ca që vanë dhe e panë, thanë se nuk ishte aq i zi sa thuhej. Duket është hera e parë që  ti ke rënë nga fiku e ndihesh sikur je në fund të gropës. Nuk je aty ku të ka çuar mendja se je!

 

 

Nuk di se ç’kam bërë, që të di si ta ndreq, /nuk e di kur bëj mirë, nuk e di kur bëj keq”! Në shkollën e mesme, kur rëndom të hipën një dell poeti, bëja për gazetën e murit vargje të tillë me thasë, si vargje fiqsh që varen për t’u tharë. Madje, njëherë kuturisa e bëra hartimin me katër vargje, aq më kish hyrë vetja në qejf.

 

 

Dhe ja tani, si të isha ai adoleshenti i dikurshëm, më vërtiteshin në mendje këto vargje, që nuk di si ishin sajuar, tik-tak, i përsëritja aq herë me vete, sa duket edhe i shqiptova me zë.

– Po tallesh me mendjen tënde, – tha Arshini, – e ke top shëndetin mendor. Ia hodhe! Mirë e ke kokën mbi supe, s’ka nevojë ta kërresh. Më beso, jam doktor Adhamudhi.

 

 

 “Nuk e di se ç’kam bërë, nuk e di si ta ndreq, /nuk e di kur bëj mirë, nuk e di kur bëj keq”. Të keqen e mendjes, – i thashë vetes.

 

 

Duhej ajo dorë miku për t’u ringritur! Nuk e harroj kurrë, jeta nuk është një vijë lineare, si i thonë, – një tërësi pikash, shpesh është një përrua i rrëmbyer me kthesa e gjeratore. Ajo dorë, që aty e kisha po s’e shihja, më ringriti. Më ktheu dashurinë për jetën, për ata që më donin dhe i doja.

 

 

Mjafton të zgjatja krahët e mund të përqafoja Arshinin, djalin e vajzën, motrën e vëllanë, nipër e mbesa, shokë e shoqe. Të duash është besim, është guxim, është sakrificë. I kisha bërë në jetë. Po ishte një çast kur u ndjeva i lodhur, ta zëmë se humba një betejë e aq. Jeta të përkëdhel në një faqe e në faqen tjetër ta jep me shpullë.

 

 

Dy vjet më vonë edhe miku im, Arshini, iku. Mes dhimbjes shkrova diçka që më tha zemra të shkruaj për të; sa i mirë e i ngatërruar e i vërtetë ishte ai. Dhe përsëri u ringrita.

 

 

Një mjeshtër i madh i fjalës, i dijes dhe i dashurisë, Albert Kamy, që po e citoj për herë të dytë, ka thënë: “Janë të bekuara zemrat e lakuara. Ato nuk thyhen kurrë!”

 

 

Unë nuk kam pasur nga ato zemrat e bekuara; zemra ime është nga ato që thyhen. Nuk qahem për zemrën që kam, për dhimbjet e dashurinë që kam përjetuar e përjetoj.

 

 

Unë e di ku shkoj, i dashur Beqir Skreli, alias Kostas Pretenderis, me dorën majtas lart, ku është zemra, me komardare shpëtimi, me do pare në xhep, me këpucë veshur gati për udhë, i ngrënë e i nxënë, përherë me busullën udhërrëfyese me vete: me dashuri.

 

 

Le t’i lexojë Lora këto përsiatje kur të bëhet njëzet vjeç. Ndoshta në atë moshë ka zbuluar çfarë zemre ka, të lakuar a nga ato që thyhen. Do të desha ta kishte si zemrën time, veç uroj të mos i thyhet kurrë.