Mihal Gjergji: Degjenerimi shoqëror dhe kurvëria si mënyrë jetese
Mihal Gjergji
Parimeve të larta njerëzore u është ndërprerë zhvillimi në mënyrë brutale. Jemi kthyer te shoqëria tribale, e cila kërcënon civilizimin urban dhe e detyron t’i fshihet syrit të barbarëve. Ata që s’dinë asgjë kanë ngjitur hipodromet.
Dalldia seksuale ka pushtuar studiot dhe ekranet televizive. S’mund të them saktësisht se ku është projektuar vdekja e ngadaltë e Shqipërisë, veçse ajo përjeton lëngatën e saj të thellë.
Armiqtë shekullorë i kemi fare pranë, edhe duart e tyre të zgjatura janë mes nesh, prej kohësh. Mjafton të shkatërrohet familja dhe hallkat e zinxhirit të kësaj shoqërie përfundojnë në duart e pushtuesve.
Reklama shalësh, cicash dhe seksi, thuajse çdo natë dhe kudo. Narkozë e mjaftueshme për të vrarë nervin e qëndresës, një lloj opiumi për të venitur çdo dëshirë pune e përparimi. Nënat e bëjnë një komb. Ato që kanë pranuar të shiten ndalojnë së qëni edukatore dhe s’mund të përcjellin asnjë vlerë, sepse kanë mbetur kufoma të braktisura nga shpirti.
Gratë dinë ta kërkojnë lumturinë e tyre. Po cilën? Mos vallë duan të na frymëzojnë përmes ekraneve për të bërë kryevepra, apo kërkojnë të zbulojnë të metat tona, e paskëtaj ti pranojmë si hyjni?
Në fëmijërinë time kam dëgjuar një sentencë interesante, të cilës ende s’ia kam gjetur fillin. Gra të moshuara flisnin me njëra-tjetrën dhe si të bekonin dikë, mërmëritnin në buzë me një ndjenjë turpi e frike: “Paç fatin e kurvës!”. Në vendin e quajtur të shenjtë, pikërisht te Orakulli i Delfit, është shkruar: “Njih vetveten”.
Po cili është sekreti i kësaj profecie? Në vendin tim, fshatarët e kasolleve të varfëra janë bërë deputetë, funksionarë të lartë e ministra. Janë këputur urat lidhëse mes tyre dhe fëmijërisë së dikurshme. Pra, janë shndrruar në ngrehina pa themele.
Gra të përdala, edhe këto të pushtetshme, jetojnë lumturinë e tyre të ëndërruar. Femrat e dashuruara nuk plaken asnjëherë. Përse vallë kjo bujari shoqëron njerëzit që kanë braktisur moralin dhe të ashtuquajturat vlera, të cilat i predikojmë të gjithë, si peshkopët në meshat e përshpirtjeve? Kurvëria s’mund të kryhet nëse pjesë e saj s’do ishin dhe burrat. Atëherë, pse kjo “barrë mëkati” u ngarkohet thuajse në mënyrë urdhërore vetëm grave?
Ndërsa isha duke lexuar një jetëshkrim për profetin Muhamet, një ndodhi mbreslënëse bëri që ta shënoja diku. Bashkëluftëtarë të profetit vriteshin në betejat e zhvilluara. Kush do kujdesej për familjet e tyre, gratë dhe fëmijët? Që ata të mos përfundonin rrugëve si lypsarë, të mos njollosnin nderin, Muhameti “ligjëroi” të drejtën e myslimanëve për t’u martuar edhe me shtatë gra. Kjo gjë ndezi revoltën e grave, të cilat zgjodhën një përfaqësi për të biseduar me profetin. Ai i dëgjoi me vëmëndje, por s’mundi t’u jepte përgjigje. Në kushte dëshpërimi e lutjeje e gjeti vajza e tij e vogël, Fatimeja. Mbasi bisedoi me babain, premtoi se do vinte të nesërmen për të sjellë ogurin mirëkuptues të gjinisë femërore. Dhe kështu bëri.
Njoftoi ato gra që ishin ankuar të shkonin te sarajet e saj. I porositi të sillnin edhe nga një gotë qumësht. Nxorri një enë të madhe qelqi dhe u tha t’a hidhnin qumështin atje. Mbasi ena u mbush, kërkoi që seicila të merrte qumështin që kishte sjellë. – Qumështi u përzie, si mund ta veçojmë?- u shprehën gratë. Fatimeja buzëqeshi. Gjeti ngushullimin e çastit për bashkëbisedueset, jo zgjidhjen. – Po mirë, u tha, nëse ju shkoni me disa burra, si do t’a gjejmë babain e fëmijës?
Edhe krishtërimi e dënon kurvërinë, ndërkohë që predikuesit e saj e ushtrojnë prej shekujsh në mënyrë të fshehtë. Të gjorat murgesha detyrohen të abortojnë rregullisht krijesat e ngjizura të pasionit me priftërinjtë. Martin Luteri, më kot luftoi kundër Papës dhe doktrinës së tij, kërkoi reformimin e kishës, lejimin e martesës së priftërinjve për të shëndoshur moralin e ngritur mbi themelet e një gënjeshtre mijëvjeçare.
Po çfarë është kurvëria, jo thjeshtë si koncept a përvojë, por në raport me qëniet njerëzore; është nevojë e pashpallur apo mënyrë jetese? Ku ndryshojnë nga njëra-tjetra; kurvëritë intelektuale, politike, shoqërore etj. Instikti s’ka arsye, ndërsa arsyeja s’udhëhiqet nga pasioni. Ja pra, asnjë ligj s’mund të kontrollojë zëmrën e njeriut.
Në vitin 2019, nga numuri i përgjithshëm i lindjeve në vendet e BE-së, 49 % e tyre rezultojnë nga marrëdhëniet jashtëmartesore. Pra morali dhe inverse i tij janë në pozita të barabarta, si ligjvënësit në një sallë parlamentare. Në këto kushte s’mund të përligjet kriza e thellë morale e familjes si njësia bazë e shoqërisë njerëzore. Xh. Kazanova e cilësonte martesën si varri i dashurisë.
Marksi e konsideronte si prostitucion të ligjëruar, paçka se vetë ishte martuar. Edhe ai s’mundi t’i shpëtonte “sëmundjes’ ngjitëse të kurvërisë. Helene Demuth ishte punonjëse shtëpie në familjen Marks, në vitin 1845. U krijua një marrëdhënie intime mes saj dhe Marksit. Ajo mbeti shtazanë. Lindja e fëmijës shkaktoi një krizë në familjen e filozofit. Ai u mbrojt duke thënë që fëmija ishte i Frederik Engelsit. Ky i fundit, për të mbrojtur mikun e idealeve mori përsipër atësinë, madje djali i lindur nga shërbyesja Helenë u quajt pikërisht Frederik, për ta bërë versionin sa më të besueshëm.
Stalini ishte djali i një muzhiku të alkolizuar, por dashnoret e tij kanë publikuar tmerret që kanë përjetuar nga sundimtari absolut i Rusisë. Një tjetër personalitet i politikës, Çurçilli, “Dukë i Londrës”- të cilit lavdinë ia mban Britania e Madhe ndërsa eshtrat Spanja, ishte fryt i një marrëdhënieje të pacelebruar dashurie. Babai i Hitlerit ka qënë fëmijë i jashtëligjshëm, ndërsa Adolfit ia dha atësinë pas shtatë vitesh. Dhe ky i fundit, i cilësuar nga mësuesit e tij si nxënës idiot, e më vonë si piktor i dështuar, zotëronte një inteligjencë të jashtëzakonshme.
Të dështuarit në shkollë ndodh të bëhen përbindësha në fronin e pushtetit. Edhe Hitleri s’mundi t’i fshihte etjen dhe pasionin për seksin femëror. Nevoja e brendshme ngulmon për t’u shndrruar në mënyrë jetese. Josif Broz Tito ka lënë më shumë se 30 fëmijë, të lindur nga marrëdhëniet e tij me vajza dhe nuse të reja, shtetase ruse, çeke, kroate, serbe etj.
Njihen gjithashtu pasionet e shfrenuara seksuale të Mbretit Zog. Në kushtet e fanatizmit mysliman, në vitin 1921 u bë inisiator i ligjërimit të shtëpive publike ne Shqipëri. Po le të kthehemi te fillesa e shkrimit: “Paç fatin e kurvës!”. Kush është në të vërtetë fati i kurvave parë me syrin e filozofit popull? Të largohemi një çast nga terminologjia standarte dhe të përdorim cilësimin domethënës: dobiç apo kopil. Nga eksperiencat e mia studimore kam konstatuar se shumica e tyre janë bërë biznesmenë, drejtues të rëndësishëm, intelektualë, politikanë, senatorë, president etj.
Të lindurit nga marrëdhëniet e nënave të tyre me ish anëtarë të Byrosë Politike, anëtarë të Komitetit Qendror, ministra të diktaturës dhe gjeneralë, kanë mbritur nivele të larta dhe zotërojnë jo vetëm shëmbëlltyrën e baballarëve, por edhe privilegjet e tyre. (Po të flisnim për fëmijët e brigadierëve do preknim dekadencën e asaj që ndërtuam me forcat tona!)
Ja pra, ky duhet të jetë fati i kurvës. Siç duket, pjesë e misterit parashkrues qënka pasioni dashuror në ngjizjen e fëmijës. U dashka të zgjedhës dhe të kërkosh përsosmërinë tënde te një qënie tjetër. Kur flasim për një burrë të suksesshëm, kuptojmë që pas saj fshihet një grua inteligjente. E vërteta është se botën e drejtojnë gratë, ndërsa burrat bëhen çadra e tyre mbrojtëse. Nëse femra do xhvishej nga misteret, do zvetënohej pushteti i saj dhe jeta s’do ishte kaq e bukur. Edhe bota.
Aristofani, herë si djalë mbreti dhe herë si dramaturg, nga thellësia e 2400 vjetëve rrëfen zemëratën e tij: “Gruaja i sjell burrit vetëm dy ditë lumturi: ditën që martohet dhe ditën që e përcjell në varr”.
Mos u çuditni. “Dashuria” e kurvave është më e fuqishme se urrejtja e moralistëve skeptik. Ato kanë lindur për të qënë gjithmonë fitimtare. Gjersa kurvave s’u janë ngritur monumente, d.m.th ende s’kanë zënë vendin e heronjve, duhet shpresuar se bisturia mund ta pastrojë pjesën e atrofizuar të organizmit shoqëror.
Tiranë, janar 2020