Mustafa Qemal Ataturk, legjenda shtetformuese e Turqisë moderne

Mustafa Qemal Ataturk, legjenda shtetformuese e Turqisë moderne

Zylyftar HOXHA

 

Sot është 10 Nëntor, dita e vdekjes së  Mustafa Qemal Ataturk. Në çdo 10 nëntor ora e Turqisë ndal disa dekika në nderim të Ataturkut, që vdiq në vitin 1938.

 

Do të vritesh me një turk nëse i shan Ataturkun. Edhe vetë shteti turk e ka kthyer me ligj fyerjen e kujtimit të tij në krim, në vepër penale (Nuk e di a vlen më kjo gjë sot, pasi Erdogan ka luftuar shumë për të zbehur figurën dhe për orientuar Turqinë drejt otomanizmit e jo drejt demokracisë Perëndimore, siç arriti Mustafa Qemal).

 

Figura e krijuesit të shtetit turk, Mustafa Qemal Ataturk ka dalë jashtë kornizave të zakonshme dhe është kthyer në mit dhe kult, një kult individi i pranueshëm dhe i ligjshëm jo vetëm nga adhuruesit e vendit të tij, por edhe të miliona njerëzve të tjerë në botë që aspirojnë për një shtet të së drejtës.

 

Ataturk, si udhëheqës dhe shtetformues nuk e humbet shkëlqimin për asnjë kohë.

 

Ai mbetet etalon matës dhe mësues se si mund të ndërtohet një shtet për çdo lidership modern që kërkon të lërë gjurmë.

 

Ai qëndron hijerëndë dhe dinjitoz në një vend të veçantë dhe të privilegjuar të historisë së Turqisë, të historisë botërore, pse jo edhe asaj shqiptare me të cilën e lidh origjina e tij jo e largët prej gjak shqiptari.

 

Mustafa Qemal Ataturk u lind në Selanik, më 25 dhjetor 1881.

 

Kur ishte në shkollën e mesme, ai shkëlqente si nxënës.

 

Një mësues i quajtur edhe ai Mustafa, duke respektuar dhe adhuruar nxënësin e tij, i thotë: “Ti Mustafa dhe unë Mustafa, të dy të ditur njësoj, por midis nesh duhet të ketë një dallim, ndaj ti do të quhesh tani e tutje Mustafa Khemal (turq. i pjekur, i përkryer).

 

Detaj tjetër lidhur me emrin është kur në vitin 1934, ministri i Arsimit në një fjalim në radio e quajti “Ati i turqve”.

 

Qysh nga ajo ditë, gazetat e popullit e quajtën ATATURK dhe udhëheqësi i Turqisë të nesërmen mori letërnjoftimin e tij, ku ishte shkruar ATATURK.

 

Pothuajse të gjithë biografët që janë marrë me jetën dhe veprën e Qemal Ataturkut nuk e anashkalojnë, përkundrazi e theksojnë origjinën e tij shqiptare.

 

Mustafa Qemal Ataturk rrjedh nga një familje shqiptare nga Dibra, e cila ishte shpërngulur në Selanik, që në këtë kohë ashtu si pjesa më e madhe e Maqedonisë banohej në shumicë nga shqiptarët (po Selaniku ka qenë qytet shqiptar deri më 1915).

 

U  lind në Selanik, por rininë e tij e kaloi në trevat shqiptare të Çamërisë, e Shqipërisë së sotme të Jugut.

 

Ai pati lidhje të ngushte me çetat shqiptare të Bajo Topullit dhe Mihal Gramenos.