Në Kurjan të Roskovecit, mes njerëzve të mirë e paqësorë si vetë pema e ullirit që selitin

Në Kurjan të Roskovecit, mes njerëzve të mirë e paqësorë si vetë pema e ullirit që selitin

Niko Çuni, poet

 

Në hyrje të Roskovecit, çdo udhëtari i tërheq vëmendjen një rreth-rrotullim, ku në qendër të tij është vendosur një shtatore e bukur femre. Pamja e saj, ashtu në ecje, me shtambën e ujit mbi kokë, ka një sharm jugor magjepsës, që kaq shumë thotë, dhe po aq i lë pathënë. Quhet “Vajza Myqeqare”. E gdhendur me dashuri e finesë, ajo të uron e para mirëseardhjen në zonën e Roskovecit.

Ndalojmë, e shohim me admirim, bëjmë foto dhe, me imazhin drithërues në sy të kësaj bukurie, lëmë majtas qytetin e Roskovecit dhe marrim rrugën në të djathë. Kudo në rrugë shikon punëtorë e makina që punojnë për sistemimin e kanalizimeve, zgjerimin e rrugëve e rrugicave, shtrimin e trotuareve, ndriçimin, etj.

 

Ndahemi në unazën e Roskovecit dhe ndjekim degëzimin e rrugës në të djathtë, përmes luginës që zgjatet drejt zemrës së kodrave gjelbëroshe. Majat e buta të kodrinave dhe shpatet e tyre të ofrojnë pamje mahnitëse të ullinjve shekullorë. Vështrimi ynë rend mes tyre, por nuk ulet të pushojë mbi ta.

 

Ullinjtë, duken si të lodhur nga pesha e kokrrave, dhe ne nuk duam që shikimi t’ua shtonte edhe më shumë barrën e rëndë mbi supet e tyre. Kur i sheh së largu këto pemë të uruara, me degët varur gjer afër tokës dhe me kokrrat që larushojnë plot hijeshi, mendja të shkon se, ka ardhur koha që ato kokrra me vaj çudibërës të këputen.

E lëmë përkohësisht këtë peizazh me bukuri therëse dhe kthejmë në një rrugë më të ngushtë, që ngjitet deri lart, në qendër të Kurjanit. Atë bukuri që lamë poshtë në luginë, e gjejmë përsëri po aq të bukur, këtu, lart në kodrat e veshura me një gjelbërim gjithë-stinësh. Rruga hyn në atë pyllnajë me ullinj dhe humbet aty.

 

Në Kurjan e në fshatrat përreth kultivohej ulli kalinjot, një ulli autokton që prodhon vaj me cilësi të larta ushqyese. Në vitet e fundit ishin mbjellë edhe disa varietete të tjera ulliri që hyjnë më shpejt në prodhim dhe kanë përqindje më të lartë vaji.

 

Në bashkinë e Roskovecit dhe njësitë administrative nën juridiksionin e saj banojnë rreth 34.000 banorë. Në të gjithë zonën gjenden 450.000 rrënjë ullinj të mbjellë, me moshë nga 2 deri në mbi 500-vjeçarë. Vetëm në njësinë administrative të Kurjanit, ku banojnë mbi 5.200 banorë, numërohen më shumë se 330.000 rrënjë ulliri, nga të cilët afërsisht 210.000 rrënjë janë në prodhim. Mesatarisht çdo banori i takon rreth 60 rrënjë ulliri. Nga çdo ulli nxirret 10-12 litra vaj.

Si kultivues të zotë dhe pasionantë në kultivimin e pemës së ullirit, mund të përmendim Nebi Çaushi, Hekuran Stani, Agim Hyska, Nazmi Xhindi, Fatbardh Kërri, Agron Kërri, Zihni Gërgalli, Mane Lamaj e shumë e shumë të tjerë.

 

Produktet e ullirit të kësaj zone tregtohen më së shumti në Roskovec, Fier, Tiranë dhe kohët e fundit edhe në Kosovë.

 

Zoti u fali kurjanakëve këtë tokë të bekuar, por edhe ata nuk e çuan dëm. Ditën ç’të kultivonin në të, një pemë të shenjtë, një pemë biblike, Ullirin.

 

E rritën këtë pemë në mote e në shekuj, dhe bashkë me të u rritën edhe vetë. Të dy bënë rrugë të gjatë e u lidhën ngushtë me njëri tjetrin. Kur sëmurej njëri, tjetri i shërbente. U trashëgua kjo lidhje nga babai tek djali, tek nipi.

 

Ndaj sot kurjaniakët janë në ballë të kultivuesve të kësaj peme mbuluar me urata. Me kalimin e viteve, kjo trashëgimi e lënë në breza u bë traditë. Lum kush e ruan atë, që ajo mos të humbasë rrugës. Dhe kurjaniakët janë të tillë që s’i humbasin kollaj vlerat e tyre.

Një prej këtyre vlerave është edhe mos braktisja e tokës së të parëve, kësaj toke të bukurive, ku ata rrisin ullirin dhe i falen atij. Do të ishte bukur që edhe kjo festë e vjeljes së ullirit të bëhet nesër pjesë e traditës, pjesë e vlerave të zonës së Roskovecit.

 

Dhe kurjanakët, por edhe të tjerët në fshatrat përreth, janë njerëz të ndershëm, që përgjërohen e luten për pemën e ullirit. Është gjynah – shprehen ata – që të bësh hile në një produkt që zoti e ka falur për të shëruar sëmundje. Më bëri përshtypje edhe një fakt tjetër tepër interesant, që doja ta evidentoja.

 

Këdo që pyeta nga prodhuesit për cilësinë e vajit, ata lëvdonin vajin e tyre, por nuk e shanin vajin e tjetrit. A nuk është kjo një vlerë dhe një gjest fisnik njerëzor?