Nga rubrika e publicistit Luman Caka, “Njerëz me botë”: Zeqir Shaban Streneci
Luman Caka
Të moshuarit dhe fshatrat pranë e mbajnë mend Zeqirin si mësuesin e parë të këtij fshati gjatë kohës së regjimit të Zogut.
Ky njeri arsimdashës, mik i librit dhe përparimtar, nën ndikimin e ideve të rilindësve dhe kurbetllinjve, hapi në fshat të parën shkollë shqipe, më 1930, e dha aty mësim për disa vjet.
Zeqiri nuk kishte kryer shkollë për mësues përveç asaj të hapur në pranverëne e vitit 1909 nga patrioti Hasan Hoxha dhe Baba Abedini i teqesë së Frashërit, në Qeshibes. Në atë shkollë mësuan djemtë e Strenecit, Kakosit etj.
I ndikuar nga kurbetllinjë e, veçanërisht, të dajos së tij, Sadik Shahini, në moshën e fëmijërisë shkoi në Amerikë. Gjatë periudhës 4-vjeçare qëpunoi në mërgim u njoh me patriotë të ndryshëm që aderonin në degët e shoqërisë “Vatra”, anëtar i së cilës u bë dhe Zeqir Streneci.
Pas vitit 1919, kur qe larguar nga Amerika, qe aktivizuar në lëvizjen patriotike në Dangëlli e si pasojë dënohet me burg në Gjirokastër. Më pas merr pjesë me forcat e Skraparit në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës dhe të Luftës së Vlorës.
Për aktivitetin e treguar në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924 dhe besnikërinë e tij si roje personale e Fan Nolit, u gradua aspirant.
Pasi në fshatin e tij të lindjes u emëruan mësues njëri pas tjetrit, Vangjel Pecani, Feti Myftari, Kadri Frashëri etj. Zeqiri hoqi dorë nga detyra e mësuesit, i gëzuar që edhe “drita e diturisë” ra edhe në Strenec.
Ndonse pati 11 fëmijë me një grua zonjë, siç ishte Qerime Spahi Malindi, Zeqiri punoi larg vendlindjes. Viti 1940 e gjeti rojtar pyjesh në rrethin e Matit e punonjës pranë Kryqit të Kuq. Në Tiranë ai njihet me Heroin e Popullit Muhamet Gjollesha , i cili e futi në rrugënë e Luftës.
Në vitrin 1942 vendoset përfundimisht me banim në Tiranë, ku punon pranë Kryqit të Kuq. Më pas rreshtohet në Brigadëne Tretë Sulmuese partizane. Në luftimet e kësaj brigade, në Novi Pazar të Jugosllavisë, ra dëshmor së bashku edhe me gjashtë partizanë të tjerë.
Eshtrat e Zeqir Strenecit prehen sot në Varrezeat e Dëshmorëve të Kombit, bashkë me ato të 350 e shokëve të tij, të cilët u ngritën nga toka e huaj nga qeveria shqiptare ne vitin 1976.
Ndërsa shkolla fillore e Strenecit mbante emrin e mësuesit të saj të parë, Zeqir Shaban Streneci.