Nuri Musabelliu, i biri i Mestan Ujanikut: “Brenga ime, më e rëndë se vdekja”!…

Nuri Musabelliu, i biri i Mestan Ujanikut: “Brenga ime, më e rëndë se vdekja”!…

 

 Hajri Nuhu

 

Në rrugët e qytetit të Durrësit ka kohë që nuk e takoj Nuri Musabelliun. Nuk e shikoj që nga  janari i vitit 2023 kur edhe pse në karrocë ishte pjesëmarrës në konferencën shkëncore Veçori të Luftës Antifashiste në krahinën e Skraparit (1942-1944)”.

 

 

 Ardhja e tij u shoqërua me duatrokitje. Ishte pjesëmarrësi më i veçantë. Ata që njohin Nuriun sjellin në përmend një figurë burrërore. Në portretin e tij kanë parë  krenarinë, tipari dallues i derës së madhe të legjendës së maleve të Skraparit, Mestan Ujanikut.

 

Nuriu, djali i Mestanit  në vitet e Luftës“ u rrit në supe luftëtarësh”.

 

Nga një telefonatë me Kujtimin,nipin e Mestan Ujanikut mësojmë që Nuriu është sëmurë. Pak muaj më parë ka humbur edhe bashkëshorten Fiqreten. Kujtimi ka merak që botimi i Akademisë së Shkencave për konferencën e sipërcituar të shkojë edhe tek Nuriu.

 

 

 Se konferenca tha ca të vërteta për figurën e ndritur të Mestan Ujanikut. “Sa mirë që folën ata që dinë të shkruajnë historinë!” Në këtë situate sjell ndërmend pasazhe të një bisede të zhvilluar kohë më parë me Nuriun.

 

 

Fëmijëri e luftës…

 

Nuriu edhe pse më i vogli, në atë kohë ishte në luftë. Se ishte i biri i Mestan Ujanikut, luftëtarit të orëve të para, antifashistit të vendosur, nacionalistit të ndershëm, vëllai i Xhemalit që u bë krahu i djathtë i Mestanit që në krijimin e çetës plakë të Skraparit më 14 mars 1942, shoku dhe vëllai i Vehepit dhe Hetemit, që u burrëruan para kohe në atë kohë të vështire. I kujton të gjitha. Në mendje i ngeli internimi familjes në Berat, Portëz, Shkodër.

 

Nuriu me të ëmën, Pemen, në vitet e Luftës

 

“Më kujtohet si kam nisur të mësoj abetaren. Ka qenë shkolla partizane në Gjerbës. Kujtoj edhe mësuesin, Qemalin nga Zaloshnja, partizanin e plagosur që kryente këtë detyrë.

 

 

Ishte viti 1944 dhe çlirimi i vendit do të na gjente në Berat. Babai dhe familja kishte bërë mirë detyrën ndaj vendit”. Ai kreu detyra në Berat, Shkodër e mandej në Tiranë, por gjithsesi mendjen e zemrën i kishte në Skrapar. Në këto qytete kaloi edhe fëmijëria dhe rinia e hershme e Nuriut. Një nxënës i shkëlqyer në mësime dhe një veprimtar i dalluar.

 

 

Por lufta nuk kishte mbaruar. Ëndrrat u prenë në mes…

 

 

Djemtë e Mestanit: I madhi, Xhemali, Hetemi me Vehepin dhe Nuriu 

 

 

Netët e ankthit të madh

 

“Ka qenë një natë e gjatë e plot ankth. Burrat e shtëpisë së madhe nuk erdhën në shtëpi. Munguan Xhemali dhe Vehepi që ishin që të dy ushtarakë. Çfarë kishte ndodhur? Vetëm pas dy ditësh erdhi haberi, një kob që nuk e shkonim nëpër mend. Mestani, Xhemali ishin arrestuar. Me ta edhe Bajrami.

 

Netët ishin të ftohta e të gjata edhe pse ishte 15 maji i vitit 1947. Që nga ai moment dhe deri sa u bë gjyqi ishim as në qiell e as në tokë. Nënë Pemja, dhe kjo bijë nga një derë e dëgjuar skraparase dhe një grua mjaft e fortë, vinte rrotull nëpër shtëpi dhe përsëriste shpesh: “Nuk kemi pse ulim kokën, se gëzohet hasmi”.

 

 

Akuzat ndaj Mestanit ishin një bllof. Kapedani i maleve që kishte luftuar tërë jetën me armiqtë tashmë akuzohej “për veprimtari armiqësore”.  Burrërisht qëndroi edhe në burg dhe kaloi vetëm një vit qelive, pasi vdiq. Enigmë vdekja dhe më enigmë varri.

 

Endrra të prera në mes

 

Me shumë mund Nuriu mbaroi Shkollën e Mesme Pedagogjike në Tiranë dhe  emërohet mësues në Ballaj të Kavajës. I përgatitur dhe tepër korrekt tërheq vëmendjen e të gjithëve.  Kontrollet nga instancat e arsimit, donin s’donin, kishin për të vlerësimin më maksimal.

 

 

Me bashkëshorten, Fiqireten që pak kohë ka që është ndarë nga jeta

 

 

 

”Pas një kontrolli me propozuan edhe për drejtor. Më thirrën në seksion. Shefi, Nikoja, një burrë i vjetër, pjesëmarrës edhe në luftë, më thotë të shkruaj pak të dhëna për biografinë. I thashë nga isha, i përmenda Ujanikun.

 

 

Me pyeti i kujt isha. A ke dëgjuar për Mestan Ujanikun?,- i thashë. U shtang. Që nga ai moment  e kuptova. Jo më drejtor nuk bëhej fjalë, por në jetë do të përballesha me bishën diktaturë. Kalova mësues në Luz e Kavajë. Po kusuret nuk kishin të mbaruar. U gjend sebepi  për të na  goditur përsëri. Fiqretja,  ime shoqe, ishte mësuese rusishte në Kavajë.

 

 

Djali i një kuadri të lartë në këtë qytet kishte mbetur jo pak, por në 5 lëndë dhe mes tyre në rusisht. Provime dhe riprovime dhe në lëndët e tjera me porosi nga lart e djali kalon në mënyrë të pamerituar. Por ndërsa të tjerët e gëlltiten “çorbën e prishur“, Fiqretja jo. E formuar në një familje qytetare, ajo nuk shkelte mbi veten. U tregua e prerë si atëherë kur sakrifikoi shumë për dashurinë, në hapat e parë të fejesës kur i thanë:

 

 

Ke zgjedhur për shok jete një djalë reaksionari…Edhe tani, e vendosur, këtë radhë në emër të karakterit, po edhe të profesionit. Dhe ajo që pritej ndodhi. Kishte dalë letra e hapur e KQ të Partisë dhe në vitin 1966, Nuriu dhe Fiqeretja as më shumë e as me pak provuan një tjetër goditje. I dërguan në Skrapar, dhe aty në Ujanik, në fshatin e vogël, por me histori të madhe ata kaluan plot 20 vjet.

 

Tek rrënjët, në Ujanik

 

Nuriu e kujton atë kohë me të mirat e të këqiat në bisedat me Fiqreten. ”Ujaniku na priti mirë. Zbritën të gjithë e na takuan në Gjerbës, ato ditë që qëndruam në hotelin e vogël të zonës. Pastaj plot dy muaj ku dreka e ku darka.

 

 

Me shumë se mikpritja më gëzonte fakti tjetër. U treguan burra, vranë frikën dhe na nderuan të gjithë, edhe ata që ishin të organizuar në parti e që rrezikonin shumë për ne. Në shtëpinë e vogël me dy dhoma, ngjitur me shkollën e fshatit, pritëm e përcollëm miq e shokë që patën kurajë e na vlerësuan”. Mes vështirësive rritëm fëmijët.

 

 

Djali, Engjëlli ishte 8 vjeç dhe aty mbaroi ciklin e ulët. Më pas vazhdoi këtu, në Durrës, me njëmijë mundime, fitoi një konkurs dhe mbaroi të mesmen për pikturë, vajza, Eda, shkollën e mesme e kreu në Durrës. ”Ma lanë pa shkollë vajzën, ndihem vërtet keq se ishte nxënëse e shkëlqyer. Punoi pak kohë mësuese me kontratë bëmë edhe dokumente, por më kot.

 

 

Djali jeton në Arizona, në SHBA. Punojnë ndershmërisht, dhe kjo më bën të jem krenar për ta, për nipërit e mbesat e mia. Kur mblidhemi bashkë edhe diskutojmë, dy nipër në Amerikë janë studentë. U gëzohem, pasi unë e Fiqretja çfarë nuk bëmë të na jepnin një shkollë të lartë. I dërguam edhe letër Enver Hoxhës. Por për mua humbën dokumentet…

 

 

Plot 20 vjet jetuan atje në Ujanikun e largët. Nuriu nuk harron asgjë nga ajo kohë. Por jo me kot thonë qe burri fal. Dhe Nuriu nuk mban  mëri me njeri…Por gjithsesi ndjen mbi supe dorën e ngrohte të Kahreman Yllit dhe fjalën e ëmbël kur e takonte: “He Nurçe, si je”.

 

Apo kujdesin e respektin qe tregonte Mane Nishova, ndihmën e Hetem Kapinovës në ato momente të vështira, shoket e punës që nga Çelik Nakua, Bektash Hasani, Servet Carkanji e të tjerë.

 

 

Një brengë më e rëndë se vdekja…

 

“Ruajtëm çfarë mundëm nga babai në ato vite të vështira. Flamurin e çetës, dylbitë e ndonjë gjë tjetër, tashmë ato janë në muze, në Skrapar. Ndërkaq  armët që pati, mes tyre një maliher na i muarën që ditët e para pas arrestimit.

 

 

Ka disa foto në të cilat është fiksuar historia e asaj kohe. Ka ende dëshmitarë e kujtime”.Një pjesë të ditarit ,të kujtimeve dhe shënimeve Nuriu u vu në dispozicion të konferëncës në Akademinë e Shkencave. “ Unë vlerësoj atë që është  bërë  për të ridimensionuar figurën e tim eti,  por nuk  jam i qetë. Enigmë vdekja, enigmë varri (nëse ka varr?!)

 

Foto plot, por pa një varr

 

Desha dhe shpresova shumë se do të gjeja eshtrat e babait. Kemi apeluar edhe nëpër media. Ti kishim gjetur, do të ikja i qetë nga kjo botë. Nuk munda, nuk më ndihmuan.  Ndoshta edhe një varr simbolik për  të vendosur një buqetë me lule ne ,nipërit e mbesat do të na qetësonte. Edhe ndonjë gjë tjetër mund të ishte bërë.

 

 

Fjala vjen, në muzeun e rrethit një bust mendoj se duhet të jetë, siç është edhe për disa figura të tjera. Jo pse është babai im, por  një titull, fjala vjen “Nderi i Kombit” është i justifikueshëm, pasi ai u përket skraparasve që i kanë dhënë aq shumë historisë së këtij vendi.  Dëshira që mbetën pezull. Tashmë “koha po mbaron” ,-thotë ai dhe këtë e shoqëron një pikë loti.