Rubrika jonë e Humorit: Edhe “Orakujt…” bëjnë shaka: Mençuri Popullore (2)
Sipas traditës shqiptare, në ditën e fundit të vitit, njerëzit nuk duhet të grinden apo të mbajnë mëri me njëri – tjetrin, duhet të jenë të qeshur, të bëjnë humor e shaka, që Viti i Ri dhe i gjithë 2023-shi t’i zërë të lumtur dhe të gëzuar.
Ndaj për këtë rast, sa të bëhet gati tryeza e darkës, gazeta on –line “Orakujt e Tomorrit”, boton për lexuesit dhe ndjekësit e saj të nderuar dhe të respektuar rubrikën Edhe “Orakujt…” bëjnë shaka!…
Duke uruar Gëzuar Vitin e Ri 2023, po u paraqesim pjesën e parë të rubrikës:
I ka mosha këto gjëra!…
Një plak si zakonisht po rrinte në lulishte. Një çift më tej putheshin për hesap të tyre.
Vajza që pa plakun paksa të habitur I tha:
-Xhaxha, mos u habit, i ka mosha këto!…
S’kaloi pak dhe Xhaxhait I shpëtoi një pordhë jo e vogël.
-Xhaxha, ç’qe kjo që bëre!? – tha vajza.
-Epo, mosha, moj bijë, i ka mosha këto gjëra! – ia ktheu plaku tërë seriozitet.
Po ta jap me këmbë, se këto këmbë do ta kërkojnë
Për të blerë një thes misër një fshatar i kërkoi tregtarit borxh një napolon. Tregtari nxori nga xhepi napolonin, hoqi çorapen, futi napolonin në mes të gishtave të këmbës dhe ia zgjati këmbën fshatarit.
-Pse ma jep me këmbë!? – i tha i fyer fshatari.
-Se këto këmbë do të bredhin që ta marrin borxhin – iu përgjigj tregtari, i djegur kushedi sa herë nga këto lloj borxhesh.
Me këtë nënë që kini ju, nuk u lë asnjëherë pa baba!
Vendimi që mori e shoqja për të shkuar në emigracion u prit mirë nga gruaja, por u kundërshtua nga fëmijët.
-Mos ik, baba, boll kemi ato që kemi, me kë do të rrimë ne, na merr malli! – iu lutën fëmijët.
-Mos u mërzitni, se me këtë nënë të zonjë që kini ju, nuk u lë asnjëherë pa baba!…
Në Përmet: Lufta dogji lokalin, por jo traditën
Në kohën e LANÇ, kur Përmeti ishte djegur, vjen një anëtar i një delegacioni ndërkombëtar nga Franca për të parë dëmet e luftës.
Në kohën e drekës, bashkë me shoqëruesin shqiptar, hyn në një lokal, që në pamje të jashtme ishte jo fort elegant, dukeshin ende gjurmët e djegjes.
Kur u ul për të ngrënë, atij i bëri përshtypje shërbimi, sjellja dhe gjellët tepër të shijshme tradicionale, mënyra e vendosjes së ushqimit në tavolinë etj.
Si u ngop mirë e mirë i thotë të zotit të lokalit:
-Nuk ma mori mendja për këtë gatim kaq të mirë e për këtë shërbim në këtë lokal të djegur.
– Zotëri, lufta më dogji lokalin, por jo traditën! – ia ktheu pa mburrje i zoti i lokalit.
Do ta shij me pelën tuaj…
Një fshatar po lëronte tokën me gomar. Kalon aty afër një fshatar tjetër nga fshati fqinj, përtej lumit, hipur në kalë. Pas përshëndetjes së rastit, ai i kalit i thotë atij që po lëronte:
Meqë lëron tokën me gomar,
Mos të mbiftë asnjë farë…
Fshatari tjetër nuk e la fjalën të binte në tokë, por, menjëherë, po me bejet ia ktheu:
Kur ta korr e ta bëj duaj,
Do ta shij me pelën tuaj…
Kujdes, nënë, mbaj radhën!…
Një ditë dy vëllezër shkuan te varri i nënës
Djali i madh duke vendosur lulet, i thotë:
-Ah, moj nënë e dashur, sa jemi malluar, si duron për ne? Po edhe ne po plakemi, dhe te ty do vijmë!
Vëllai tjetër, më i vogël, kur dëgjoi këto fjalë të të vëllait, shpejtoi dhe thirri fort: -Megjithatë, nënë, mbaj radhën!…