Sefedin Çela: Behar
Sefedin Çela
Ka disa ditë që vërtitem me idenë se në 18 shkurt do të jem 70 vjeç. E çfarë? Nuk dihet sa fiksshtatëdhjetëvjeçarë ka sot në Tiranë. E nuk ka pse dihet. Do të mbahet mend se opozita do të demostrojë rrugëve, transmetime live, fjalime, policë. Ditë e bukur për ditëlindje e për metingje e dëshiroj e bukur të jetë e gjitha. Të afërm e miq janë kujtuar se ia arrita të jem 70 vjeç!
Epo nuk jam tip i vështirë, duket jam nga ata tipa që edhe mund t’i duash. Ka ndodhur t’i krijoj telashe vetes, apo telashet të vijnë e të më gjejnë, po kurrë nuk kam dashur t’u krijoj telashe të tjerëve. Këto vite që kam nën lëkurë më kanë mësuar se qoftë me gjakun tënd, mikun tënd, fqinjin a këdo që ke në krah, edhe nëse gabon, nëse nuk e ndihmon dot, mos e gjyko si armikun që do të mundësh. Nuk kam më kohë për herë të dytë!
Do të mblidhem sot me njerëzit e mij, nesër e pasnesër me miqtë e vjeter, me njerëz të zemrës. Shkoj shpesh nga motra, se vëlla e motër bejmë dy, kujtojmë ditë të mira e të këqia që kemi lënë pas, edhe pse unë nuk harroj të ve re se ajo më dend me gjëra të mira që s’i kam gatuar vetë, në pjata që nuk i laj vetë. Këto vogëlsira, i them vetes, i kuptojnë ata që e kanë të vështirë të jetojnë vetëm. Që jetojnë me kujtime e që edhe ato duan t’i ndajnë…
Gati i kam rënë botës rrotull; më ka mbetur pa parë vendi i kangurëve, Australia e Amerika e Jugut; mbi Afrike vetëm kam fluturuar përsipër, kam qenë në Egjypt e kam pare piramidat, po asnje xhirafe a tiger, Serengen a shkretëtirë.
Nuk kam dëshirë të zbuloj më shumë nga bota e madhe, më djeg malli te rishoh, te rigjej e te rijetoj fëmijërinë e rininë time, fshatin tim Polenën e të broçkullis me shokun e fëmijërise Beharin.
Aty pi një gotë e të duket sikur je sipër një reje, e ke të sapoardhurin në krah e të duket si një sy dielli, sikur ke një jetë që e njeh e që e sheh.
Kanë ndërruar kohët e kanë ndërruar njerëzit, për mirë e për keq. Në Polenë dimri ishte i ashpër, binte dëborë e bagëtia mbahej brenda. Ne fëmijët na çanin rrugën për në shkollë, – një orë larg deri në Qafë, një nga prindërit, me radhë. Ne viheshim njëri pas tjetrit, unë shkelja në gjurmët e Beharit e më duhej t’i bëja hapat më të mëdhenj se ai ishte dy a tre vjet më i madh.
Nënat tona huanin kripë te njëra-tjetra e u hahej fjala.
Ai mbante rrasur deri te veshët një kokore leshi ngjyer me lëvore arre, punuar me shtiza nga e ëma, që i kishte shkruar thurur me gjalmë ngjyrë gurkali “Behar”.
Unë e kisha shok e nuk ndihesha po kalamajtë e tjerë i hante meraku si ia bënte ai gjithë dimrin me atë emër e me atë kokore, që s’di pse i thoshte çajkë. Po kur vjen, ore behar, prit gomar të mbijë bar, i qeshnin ata në rrëzë të veshit.
Ai nuk e çante kokën e nuk i zemërohej askujt, ashtu i avashëm në të folur e i shkathët për të zgjatur dorën e ndihmës për këdo që i dukej se duhej ndihmuar. Ai e kishte beharin brenda vetes.
Duke dihatur e nxjerrë avull nga goja, ndiqja një për një hapat e tij e përrallisja sikur luftonim me shpata të bëra nga qirinj akulli, këputur nga strehët e shtëpive. Në vend të kuajve shalonim një qiri tjetër akulli të madh, me grepça si jele, ku mbaheshim. Kali i mirë ishte gjysma e ëndrrës, gjysma tjetër ishte kalorësi me parzmore ari që, edhe pse e ndryshoja sa herë që e tregoja ëndrrën, ndodhte të isha unë.
Herë herë këto armë akulli i quanim mitrolozë, i kapnim me të dy duart, duke përdorur çorape leshi si doreza e breshëritë i lëshonim me zërat tanë, se kjo ish lojë e jo luftë e ne nuk lëndonim kurrë asnjë, se nuk i kalonim caqet. Po kalove caqet del në anën tjetër e mos bëj të paditurin nëse gjërat shkojnë për lesh…
Behar Mustafaraj me Barjam Polenën
Në moshën që djemuria thirreshin ushtarë, pa bërë 20 vjeç, unë e Behari hodhëm trastën në sup e rasti e solli të ishim të dy mësues, tri orë larg Polenës tonë, unë në Potom e ai ne fshatin fqinje, pak më tej, – në Backë. Mendonim se ishim rritur e duhet të bënim diçka. Je në një moshë që, si të thuash, nëse nuk lëviz dot krahët, je një zog që nuk fluturon dot. Dhe askush nuk ka se ç’e do një zog që nuk fluturon dot.
Ishte dimri i parë që po kalonim si ushtarë, në krye të detyrës e mezi prisnim të vinte Viti i Ri, ku mund të mblidheshim rreth vatrës familjare, me një gjel të pjekur që duhej përballuar.
Një natë më parë ranë temperaturat, qielli ishte i kthjellët e u shfaq një hënë e madhe, e rrumbullakët, si një tepsi vezulluese bakri e varur përmbys thuajse mbi çatinë e godinës së Lokalitetit.
Ne ishim tre djem që flinim në një dhomë në shkollë, njëri durrsak, tjetri beratas e unë vendës. Sapo kishim përcjellë tri kolege, të tria vlonjate, që flinin në të njëjtën dhomë në shtëpinë e një gruaje. Hëna na ngatërronte hijet, zemërvogël, e ftohtë dhe e kotë. Asgjë e mirë nuk pritej prej saj. Kurrë nuk më ka pëlqyer hëna e plotë, duket se thashë unë, u jep njerëzve justifikime për budallallëqe e sidomos vajzat i bën llafazane!
Ajo që thashë duket ishte krejt pa vend, se atyre u mbeti hatri. Nuk u mendova gjatë po e thashë, e dëgjuan të gjithë. Diçka që nuk e mendon mirë, po e the me zë të larte, zëre se ke dashur ta thuash. Ja, më hutoi hëna e plotë, merret vesh, nuk kish ardhur koha për hënën time.
E nesermja u gdhi e hirte, thëllimi u shtua, pa ardhur mesdita filloi nje dëborë e imët dhe e shpeshtë, që s’dinte të reshtëte. Të pa priturat, që po ndodhnin për herë të parë, vinin njëra pas tjetrës. Na u desh të shkurtojmë dru për t’i patur rezervë për sobën. Me një mjet mësimor matjeje prej druri, 2 metra të gjate, matëm borën në çati duke zgjatur krahun nga poshtë lartë: 80 cm vetëm për pesë orë e vazhdonte të binte! Mbushem një tas me dëborë të saporënë, i hodhëm sheqer sipër, po nuk ndritëm gjë.
Ajo hënë si tepsi e përmbysur qe një shënjë! Duke marrë nëpër gojë shënjat që jep hëna, edhe për luftë, ne harruam dëborën që binte e binte e na zuri gjumi duke qeshur.
Kish kaluar mesnata kur dëgjuam t’i binte derës dikush, në fillim me njëfarë ndrojtjeje e më pas më fort. Nuk na kish ndodhur asnjëherë të trokiste kush kaq vonë. U zgjuam të tre.
“Kush është”? Trokitja reshti pak, pastaj u dëgjua një si kollë a e qeshur e mbytur. “Jam mama dhija”!
Uf, ne pamë njëri-tjetrin e ia krisëm gazit s’di pse, kur ndiheshim të frikësuar. I futa një dru sobës po askush nuk bëri nga dera.
“Hapeni derën, vogëlushët e mij, mama dhija po ngrin!”.
Duke u dridhur si kecat e përrallës, ne u futëm në linjë: “ Mos ke ndërruar zërin e je xhaxhi ujku? Fut këmbën të shohim”!
“Hapeni derën, o njerëz, jam Ëngjëlli”!
Zëri na u duk i njohur, zë njeriu, po ëngjell nuk mund të ishte!
Një vrundull të ftohti hyri sapo u hap dera. Ai dukej si Njeriu i Dëborës, i bardhë nga koka te këmbët. U shkund e mbushi dhomën me borë e ujë. Ishte Ëngjëll Kasollari, mësues në fshatin fqinjë Backë. I dhamë një shishe raki e rrëkëlleu një grykë të mirë, pastaj ngrohu pëllëmbët e fërkoi fytyrën. Pastaj tha “ma bëni hallall që erdha në këtë orë”.
Ne ende nuk kishim marrë vesh ç’ hall e hata e kish nxjerrë atë natën e në këtë dëborë.
U kish thënë shokëve “unë shkoj në këte orë në Potom”. Jo, i kishin thënë ata, ka shumë dëborë, është errësirë e madhe, mund të të dalë ndonjë egërsirë, mund të të zërë gjumi nga lodhja e të ngrish. Po ai kish ngulur këmbë se me një elektrik dore do të shihte ku të ecte e do të trembte dhe egërsirat. Dhe ja ku ishte.
Ne pamë njëri tjetrin për të disatën herë. Nuk dukej si i shkarë, po s’i dihej. Vetëm për të fituar një si garë e kish bërë gjithë këtë? Në të vërtetë, tha ai, në të vërtetë fitova dhe një bast! Nëse do të provonte se kish qënë në Potom, për një javë rrjesht shokët do t’i jepnin të hante dopio racion për dreke!
Ai shpiegoi me nge se ishte 1.90 i gjatë, se ishte 20 vjeç, se i hahej e shihte ëndrra me të ngrëna, se nuk kish vjedhur e nuk do të vidhte kurrë për të ngrënë e se nuk është turp të të hahet!
Ramë në një mëndje se nuk ishte turp të të hahej, po jo me një risk kaq te lartë. Si aventurë e shaka ishte e shkëlqyer, e paparë e për t’u mos u harruar.
E pyeta për Beharin. Ai vuri dorën në zemër. “E kam këtu”, tha, pastaj e ngjiti dorën më lartë e rrotulloi kokoren, “edhe këtu!”. Thurur me gjalmë ngjyrë gurkali dukej fjala Behar! Çajka e tij!
M’u kujtua kur ishim fëmijë, rrugës me dëborë për në shkollë kur i qanim hallin si ia bënte me atë emër në gjithë atë qerrata dimër.
Ai vazhdonte ta kishte beharin brenda vetes.
I kaluam orët e mbetura të natës duke komentuar emrin e Ëngjëllit, pranuam se ai ishte djalë i mbarë, edhe pse i hahej shumë, po nuk ishim në një mendje se ëngjëjt mund të ishin aq shtatlartë e aq hamës. Unë e pyeta pse në fshatin e tij, në Zabërzan, i pinin dollitë të gjithë njëherësh e jo një nga një, si bëhej dollia gjetkë e ai tha: “Për të gëzuar të gjithë njëherësh e jo një të flasë e të pijë e të tjerëve t’u thahej buza deri sa te japë urdher dollibashi!. Ke dëgjuar për reformën agrare, që ndau toka? Kjo është reforma e dollisë e këtë reformë, mirë a keq, e bëri Zabërzani”!…
Edhe sot e kësaj dite kjo formë dollie quhet “zabërzançe”, ka marrë njohje të gjërë e mirë do të ishte që fatin e saj ta kishin të gjitha reformat!
I dhamë një vërtetim me tri firma e me tre emrat tanë, ngjeshi deri te veshët çajkën Behar e u nis përmes dëborës për të kapur orën e parë të mësimit, tashmë ditën dhe me bast të fituar.
Duke u përqafuar e shtrënguar duart më thotë në vesh: “Matim pëllëmbët? Kush ka pëllëmbën më të madhe”.
Mësuesit e Qafës dhe të Osojës
Ha-ha, bast tjetër? Ai djalë nuk i përtohej asgjëje, mundej me jetën njësoj si t’i vinte.
Tri javë më vonë një mbledhje e asamblese se kooperativës solli në Potom Qetsor Kaltanin, kryetar i ekzekutivit të rrethit, kolonjar me origjinë, me fytyre e duar aristokrati, në Skrapar rëndom i thoshin Beu i Kolonjës, kur, në fakt, e donin e nuk kishte asgjë prej beu province. Nuk kisha dëgjuar deri atëhere që dikujt t’i thuhej bej për ta nderuar e jo për ta sharë. Ndoshta kjo ishte arsyeja që ngjiti me ne arsimtarët që rëndom rrinim larg zyrtarëve që vinin nga rrethi. Kur s’ke pula mos bëj ishsh!
Në klubin e fshatit i treguam si Ëngjelli fitoi bastin për të ngrënë një javë rrjesht dopio racion drekë. Ai qeshi. Pastaj tha “djalë trim”, pastaj “i ziu djalë”. Ne merrnim nga 12 kg misër për person në muaj, mbante mullisi ujem për bluarje e katandisej kokoshi lëre, lëre. Ai tha “besoj që do t’ua zgjidh këtë hall”.
Një muaj më vonë për mësuesit jabanxhinj të të gjitha shkollave të lokalitetit u dha nga depot e Grumbullimit nga 20 kg drithë për person. Me këtë rast, si prishi zinë duke ngrënë sa deshi, Ëngjëlli u mor vesh se paskej thënë: “Një i marrë me një marrëzi bëka atë që të mënçurit nuk e bëkan dot!”.
Ishim të gjithë gati moshatarë, jo më shumë se 20 vjeç. Në këtë moshë vështirësitë hahen me dhëmbë e as mendohej se kishim ndonje luftë për të bërë. Luftën e kishin bërë baballarët tanë. Ne mund të mirëmbanim lapidarët e mbase të ndërtonim ndonjë copë rrugë. Nuk na kërkohej jeta. Në këtë vend kishim lindur, ishim rritur, e çfarë nëse kemi mbetur a kemi ngecur këtu?
Nuk dinim e nuk kishim shumë, të ngopur e të velur nga jeta nuk ishim, po sot, që jam fiks 70 vjeç, nuk do të doja të isha si shumë të rinj, që nuk dinë a nuk mundin a nuk duan të bëjnë asgjë, të lindur të lodhur!
I them vetes, e di ku është ndryshimi midis moshatarëve të atyre viteve e këtyre të sotmëve qe vrasin kohën? Ne gabonim e pendoheshim, po këta nuk bëjnë asgjë!
Aty rreth një vit më parë vjen Behari në Tiranë. U takuam pas Pallatit të Kultures. Prej tij dëgjova fjalën bastunpatericë. Lëvizte me vështirësi. Qoftë me kaq, i thashë unë, po jam me fat që u pamë dhe njëherë, se në këtë moshë…
Nuk jam hajmali që sjell fat, – tha ai, – nëmos ndjellsha rrufetë me gjithë këto hekura që kam në trup!
Nuk ishte aq i zoti sa te vintë te unë e nuk ishte aq i zoti sa të ngjiste gjashtë kate shkallë dhe se as unë nuk kisha qenë aq i zoti sa të merrja një shtëpi me ashensor.
I kujtova se një ishfqinji im, me fëmijë të çalltisur që ditën të bëjnë tutje e ditën të bëjnë para, kish ndërruar dy herë shtëpi e, së fundi, për vete shkon e ble një goxha varr, gdhënd një goxha pllakë mermeri me emrin e vet e pret i qetë ditën e mbrame.
Ja ç’bën njeriu kur ka para, thashë, po unë nuk dua varr e gur varri sa të jem gjallë!
As unë, tha Behari.
Nxori një shishkë nga xhepi i brendshëm e ma zgjati. Ishte zjarr e flakë, të nxirrte mallë e të shuante xhanë. E kaluam dorë më dorë. Kjo kohë e pistë që po jetojmë nuk ishte më e pista e mundëshme, po as ai as unë nuk kishim arsye të ishim të kënaqur prej saj. E lënë të keqen të kalojë si një re në qiell, e lënë të trashet e të nxihet e pastaj thonë “nga na erdhi ky rrebesh, ç’është kjo e keqe që na zuri”? Dava mushkash që hedhin shqelma, bëjnë hasha baba gomarin e tunden e mburren me dajë kalin.
E thamë atë shishkën. Ishte sa për mostër, tha Behari. Futi dorën në çantë e nxori një gjysëm qilloshe për mua.
Për këtë kam ardhur, tha, të të tregoj çfarë kam bërë e çfarë po bëj. Le te merren kokat e medha me ide të mëdha e punë të mëdha. Unë kam ide të vogla, nga ato që më mbajnë kokën mbi shpatulla, që u mbushin barkun fëmijëve e më mbushin shtëpinë me dritë. Dhe më mbajnë më këmbë.
Ja ku ishim si dikur, tani dy pleq, si të pa ndarë kurrë. Nuk ishim nga ata miq që i lidh gota, dëshpërimi e të vjellët. Nuk kemi dashur që gratë t’i bëjmë si veten, të bindura, të mërzitëshme e t’u kërkojmë në fund të jenë ato që kanë qënë, kur nuk janë më, apo t’u kërkojmë të sillen si burra a pastaj të ankohemi pse s’i duam më. As unë as ai nuk i kemi thënë vetes “mblidhu kruspull në shtëpi e brej shpirtin tënd si bren thonjtë me dhëmbë”!
Për vite të tëra kish punuar drejtor shkolle në Osojë deri sa doli në pension. Kish zbritur e ndërtuar një shtëpi në fund të Çerenishtit. Kishte ngritur në këmbë një vreshtë, si duket një dashuri që vjen me moshën.
-More kredi? , i thashe unë.
Jo, tha, as nuk desha e as me jepnin po të doja. Thonë se bankat të japin çadër në ditë me diell e ta marrin kur bie shi. Ato janë për atë që ka jo për atë që s’ka.
Kam zbuluar se në çdo moshë njeriu mund të gëzojë, tha Behari, punoj e prodhoj rrush e bëj raki po nuk pi mendjen, gëzoj shpirtin. Shiko, i kam thonjtë të mbushur gjithë dhe e pleh, ushqej ato të uruara rrënjë për rrënjë.
Hardhia të do pa hile, po i dhe ajo të jep, s’ka vickëla!. Lëre viçin të pijë gjithë qumështin në gjirin e së ëmës, ti shkon ta përkëdhelësh ai vrik, ia shkel vrapit, sikur s’të ka parë kurrë. Edhe fëmija, që i ke bërë kokën, ta kthen për hiçmosgjë! Hardhia nuk ta thyen zemrën kurrë! E krasit, i merr lastarët e i mban në duar, rrallon ndonjë gjethe, e kthen bistakun e rrushit si të duash, ai të qesh në duar, për këtë diell po!
-Nuk di t’i vë emër kësaj që bëj e kësaj që ndjej, më thotë Behari.
Bën hesap sa kazanë bërsi duhen për një damixhanë nga kjo bukuroshja, sa duhet lënë rrushi të fermentohet në kade, sa raki duhet të marrësh nga çdo kazan, i di përmendësh të gjitha, po keto janë llogari, ndaç teknologji, ndaç thuaji shkencë, mund t’i matësh me peshë, në kohë, me gradë. Rakia është tjetër gjë, mos vër kurrë bast për këtë bukuroshe, mos bëj trimin, je i humbur! Kaq nuk mjafton.
Pa dashuri nuk bën dot vreshtë, nuk bën dot raki!
I dhashë hak, arritjet në shkencë i mat, dashurinë as e llogarit, as e mat dot!
Beniamin Franklin na paska thënë se demokraci do të thotë që dy ujq e një qengj të votojnë çfarë do të hanë për drekë. Vetëm një komuniteti xhungle do t’i shkonte ne mend, paska thënë ai, se ujqërit në mënyrë demokratike do të hanin për drekë qengjin. Në fakt, edhe njerëzit e dobët, zhvatës e të pashpirt bëjnë zullum të madh. Po që të na zaptojë e keqja njerëzit e mirë duhet të lidhin duart e të mos bëjnë asgjë. Në këto 70 vjet jetë unë e kam parë të keqen që me tërsëllëmë të bëjë keq, po njerëzit e mirë, që përherë janë shumë, kanë ngritur në këmbë vreshta e kanë ndërtuar jetë. Edhe zogjtë, po t’u kish zaptuar e keqja trurin, do të ecnin mbrapsht e nuk do të çukisnin dot as zarfat e sheqerit te kafeneja buzë liqenit.
Njerëzit mbajnë njerëz gjallë. Të duash nuk do të thotë sa ndere ke bërë e sa nder të kanë bërë. Të ndjesh se të duan është e mrekullueshme, po këtë mrekulli nuk e prek kurrë nëse ke humbur aftësinë te duash.
Jeta është një rrugë e gjatë që duhet bërë, edhe pse e di se do te lodhesh e nuk je i sigurtë nëse do të mbrish.
Të shpërndash, si mesazh dashurie, te të dashur e miq nga ai eliksiri që bën në gotë gjerdanë fluskash, për t’u ngrohur zemrat…
…Duhet të kesh zemrën Behar!
2017