Sefedin Çela: Të humbasësh një mik si Arshin Xhezo!…

Sefedin Çela: Të humbasësh një mik si Arshin Xhezo!…

 

Miku e miqësia është fe, është besim, kur rrëzohesh të ngre, nuk humbet kurrë, si  nga asnjë Zot tjetër!

 

Sefedin Çela

 

Nuk mbaj mend  kur e si jam njohur me Arshin Xhezon. Me duket sikur kemi lindur të njohur. Ai  më thoshte “ kij mendjen nga unë, jam si pushke stralli e mbyshur nga gryka, marr zjarr shpejt”,”dmth je si pushke jevgu”, i thosha une, ”bën bam pa venë gishtin në këmbëz”. Edhe unë me të dëgjuar e kisha se me sy as kisha e as kam parë pushkë jevgu.”Ti je tjetër gjë, më kthehej ai,  të plas shpirtin me gjakftohtësinë tënde, nuk di pse jemi shokë të dy, po nuk di  as si te ndahem prej teje , edhe duke e ditur që je pa zemër e pa nerva!”

 

 

As sot edhe unë nuk di si merreshim vesh ne të dy, flisnim me këmbë e me duar, me zë të lartë  e shtruar , rrallë  binim në një mendje e të nesërmen përsëri  ishim bashke, përsëri  duke folur me këmbë e me duar.

 

 

Punonim në dy redaksi  të ndryshme, të dyja të përditëshme, në të njëjtën godinë, po unë një kat më lart. ”Mbi kokë më ke , i thosha, hidhu përpjetë po deshe!”

 

 

 

Qëlloi që edhe “stazhin” ta bënim bashkë, korespondentë për rrethet Krujë e Durrës. Zyrat i kishim në Fushë Krujë, në godinën e Institutit të Bimëve Foragjere, më duket përseri unë një kat më lart. Nuk na kërkonte njeri orar, as ku ndodheshim, në Durrës, Maminas, Laç apo prapadiellit, në Bruz, një kooperativë që nuk arrinte as 3-4 lekë për ditë pune, megjithatë niseshim me autobuzin e linjës që në 5.30 të mëngjesit, se keshtu donte miku im, vinim për gjysem ore e provonim të nxeheshim me të njejtin fërnet duke filluar nga Shtëpia e Oficerëve, te Klubi i Gjuetarëve e në të vetmen gjellëtore restorant ku shpëlanim gojën me paçe. Pa shkuar ora shtatë ishim në zyrat përkatëse.

 

 

Unë këte rit e kisha gjetur po nuk bindesha dot pse duhej bërë. Ne na kërkonin një numur shkrimesh në muaj, asgjë tjetër, nuk shihte kush oren kur niseshim, nëse ishim  përpara apo në rimorkio, duke bëre rrugën me zigzake, si te goditur nga fërneti…

 

 

Disiplinën tënde mësohu ta kontrollosh vet, mos prit ta kontrollojë shteti, kjo ishte alibia për ritin e mëngjesit.

 

Po tani, ngrija supet unë, kur ishim të parët që hynim  në godinën e Institutit.

 

Hap e lexo Lenon, ose ndonjë roman nga ata të bibliotekës qe ke perballë zyrës, qar e ke! .Leno ai i thoshte shkurt Leninit.

 

 

Këta klasikët ku frymëzoheshim që në pikë të mëngjesit, të nxehur me fërnet, na futnin në debate,nga ato me ton e me këmbë e me duar.

 

 

Një mëngjes unë lëshova brezin.”Urtësia është pjesa më e mirë e guximit”, thashë, me një levizje të prerë  dore, me demek këte nuk e lëviz as topi! Ai , që i priste drutë shkurt e që merrte si pushkë jevgu, kërceu përpjetë.”Tipike nga ti, gjen e më lëshon një gëlasë të me bësh karshillëk e të më prishësh gjakun. Sipas teje, trimi në luftë duhet të numërojë njëherë deri në dhjetë, pa t’ia bëjë bam! Hesape oportunistësh e nga kush, nga shoku im!”

 

 

Unë e kisha asin nën mëngë. I thashe që këtë e kisha mësuar në një  nga ato leximet e mëngjesit, cituar si proverb  i popullit.

 

Tani më mbushe mendjen, tha ai, pse populli nuk thënka budallallëqe?

 

 

Unë rashë dakord që popullit i vihen në goje të gjitha po kush e di se janë te gjitha të tijat.Në lëndën e folklorit ne fakultet ne kishim mësuar se përrallat, edhe proverbat, kanë karakter historik, madje dhe klasor. Shfrytëzuesit paskëshin thënë se “rigoni nuk bëhet lis”, me demek të shfrytëzuarit, ata poshtë, nuk mund të jenë shtyllat e vëndit, të qeverisin!

 

 

Sa të poshtër! Mirë, po populli, nga ana tjeter, gjithmonë sipas tekstit të folklorit, përgjigjet kështu : “Bej të mire e kalë jeshil nuk ka”!.

 

 

Sot  zyrtarisht na del se jo të gijthë bejlerët janë të pamundur si kuajtë  jeshilë! Ja, psh, i  them  Arshinit, ne për tre rilindas vëllezër themi Abdyl bej Frashëri, Naim bej Frasheri, Sami bej Frashëri, themi  edhe Ismail bej Vlora, madje krye trimit  titullin ia kemi bërë njësh me emrin, themi Skenderbeu! Ama djalit te Abdylit, Mit’hat bej Frashërit nuk duam t’i shohim bojën!

 

 

Mos më sill rrotull, atëhere pse ajo thënia që ke qejf ti,”urtësia është pjesa më e mirë e guximit”, setë mos jetë e dyshimtë, në mos dhe e pa mundur si kuajte jeshile? Më thuaj ku e ke gjetur, që ta besoj!

 

 

Ishte nxehur a bëri si i nxehur nuk e mora vesh, po ai nuk qeshi…Dhe unë i  a plasa “në një nga ato librat e klasikëve që më vë t’i lexoj me mëngjes, po e të madhit tonë!”.Ishte mosbesues deri sa i tregova citatin , nxjerrë nga një raport kongresi, më duket  Kongresi i 6-të…

 

 

Atëhere  ramë në një mendje se proverbi ishte cituar në një kontekst të caktuar, se politika krijon raporte te çuditëshme me kulturën e se në fund të fundit, midis nesh, mund t’i drejtoheshim njëri tjetrit Arshin bej e anasjelltas .A nuk thotë Kadareja se te fjala shok ka diçka prej fjalës zotni?

 

 

Shpirti i tij ishin shkrimet e tij, gjithë mish e kockë e zemër e jetë, pa ohe e ahe, pa hosana e urra. Ai me gjithçka shkruante ndërtonte.Them se kjo na bënte të pa ndarë, ne mund të mos kemi bëre gjithçka të përsosur po jam i bindur se kemi ndërtuar e jo prishur.Duket se kishim dhe të njëjtën zemer…

Një mëngjes, duke u kthyer nga kafe Peza, ndjeva një aritmi në zemer. Kisha punuar gjithe natën për një shkrim e dola nga shtëpia pa venë gjumë në sy. U ngjita me Arshinin në zyrën e tij e ai mori telefonin.Pas pak minutash mbriti doktor Pandeli Çina. E njihnim që të dy. Kur isha ne shtatëvjeçare ai ishte mjek i ri në Çorovode dhe njihej nga të gjithë se ishte simpatik, i sjellshëm e sidomos se kishte një grua të bukur, më duket polake.

 

 

Unë u shtriva mbi tavolinën e punës së zyrës.

 

Nje luhatje tensioni nga lodhja e pagjumësia, janë shpeshtuar rrahjet , “po zemrën e ke top!”, tha doktori.

 

“ Doktor, po me çudit me zbulimin tënd!. Unë e dija se ky njeri ishte pa zemer!”

 

 

Kjo  ishte batuta e Arshinit për të më nxjerrë mua nga sikleti, me siguri duke nxjerrë dhe veten nga meraku  prej shoku.

 

 

Jam nga ata njerëz, jo të paktë, që kam provuar dhimbje të mëdha ne jetë. Po qëlloi që te jem aty kur miku im pësoi dhimbjen që  njeriu nuk ia uron as hasmit : humbjen e fëmijës. Gjendja e djalit ishte rënduar aq shumë sa mjekët, duke parë një fund të afërt, këshilluan ta  kthenin në shtëpi. ”Këtë mjekim që i bëhet këtu mund ta marrë dhe në shtëpi”, tha mjeku. Si mënjane, pa parë Arshini, më bëri një shenjë me duar: nuk kemi se ç’të bëjmë më!

 

 

Prindi kurrë nuk mendon të keqen..”Fletoren, më tha mua, mos harrojmë fletoren e djalit”. Ai kishte filluar klasën e pare, nuk mbaj mend e kish mbaruar abetaren a jo, po fletoren e bukurshkrimit e kish marrë me vete në spital.

 

 

Mbaj mend si në ethe se duhej te futeshim në ashensor për të zbritur e dalë nga spitali. Në ashensor fëmija na u rëndua në duar. U zbeh, u ftoh…”Ky nuk po merr dot frymë, nuk po merr dot frymë..”

Duhet të jesh i dënuar nga fati të shohësh shokun në rrethana të tilla.Fati i mirë të çon në dasmën e fëmijëve!

 

 

Unë, që kam provuar vet ç’është dhimbja, e di  ç’iu desh të përballojnë Arshini e Landa e tij e mrekullueshme. E di ç’provë kaluan zemrat e tyre.

 

 

Thonë se zemrat janë kështjellat e shpirtrave njerëzorë, po dhe kështjellat një ditë rrëzohen, gjurmët e predhave, betejat e reja i lodhin.

 

Kështu ndodh dhe me zemrat, një ditë befas të lenë.Pa te dhënë shënjë. Pa lamtumire. Njerëz si Arshini, që me energjinë e tyre shkurtojnë distancat e te  sjellin me shpejt të nesërmen,  nuk bëjnë përjashtim.

 

 

Kam përpara nje foto, kemi pozuar e dukemi si të ngrire, të ftohte e artificialë,     po jemi te dy, të ndryshëm e të njëjtë, ai si përherë i rregullt, me kravatë e formal, megjthese rrebel e jokonformist, unë  nga jashtë i qetë, përhere pa kravatë, edhe pse m’u lut “ të keqen vëllai, mos ma prish kësaj here,vëre  për mua”!

 

 

Sot më duket vetja me faj,si dreqin e donim ashtu njëri tjetrin duke bërë secili në kokë të vet? Sa do te doja ta kisha vënë ate  dreq kravatë edhe sikur litar në qafë të më bëhej!

 

 

Llazar Vero nga tej oqeanit ngushëllon kështu: “humbëm  një shok të rrallë, ai ishte nje gur qosheje..Mbrëmë nuk kam mbyllur sy nga  100 dhimbje, kur nuk kisha arsye të veçantë, e prita mëngjezin me dyshim. Dhe pastaj lexova lajmin. Hajde mos  beso në parandjenjat”…

 

 

U mundova shumë, Arshin, erdha rrotull si gjithmonë e nuk më duket se i gjeta fjalët  e duhura.

 

 

Nuk kam ditur kurrë t’i pres drutë shkurt si ti, as të marr flakë si pushkë jevgu si ti, po kësaj radhe më dogje shpirtin.

 

Po të drejtohem si dikur midis nesh, duke gjetur te fjala zotni diçka nga fjala shok:

 

      Të qoftë dheu mëmë i lehtë, Arshin bej!