Të heqësh “të zitë e ullirit” nga vaji i ullirit…!
Ilmi Qazimi
Isha në Berat për një arsye shëndetësore dhe, me që ky qytet ka namin e plotmerituar për ‘Ullinjtë e Beratit’, shkova në pazar për parë e pastaj për të blerë ullinj. Bollëku, sasia, cilësia e tyre të linte pa mend. Ishin të shumtë shitësit, ku pronarë e ku tregtarë, ku sekserë e ku të tjerë, që thoshin: “Faleminderit që erdhe tek unë dhe e provove ullirin!”; “Vëria vetë ti çmimin, zotni!”;”Aman, ore, vetëm afrohu pa mos bli…!”
Domosdo bleva disa kilogram me dyqind lekë për kg nga ai lloj që në Tiranën e tiranizuar nga çmimet stratosferike, siç perifrazon edhe qeveria për shkak të luftës në Ukrainë(?!), pa tavan e pa dysheme, mund t’i bleja treqindepesëdhjetë lekë për kg.
Kur shkuam tek vaji, ç’të shikoje? Një mrekulli shqiptare e nëpërkëmbur ashpër dhe si kurrë më parë. Sepse nuk kishte blerës, sepse shitej shumë lirë, sepse nuk kishte kontroll shtetëror ndaj cilësisë së produktit, as ndaj tregtimit dhe ndaj reklamimit të këtij produkti famoz,por të anashkaluar e nënvlerësuar nga instancat e shtetit shqiptar të sotshëm kapitalist.
Ulliri shqiptar njihet që nga lashtësia e Pirros e më pas tek koha e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. E gjejmë të përshkruar tek Evliha Çelebiu i osmanllinjve, te periudha e ashtuquajtur mbretëri e deri tek “koha e Enverit” kur ulliri gjeti zot për mbjellje, vjelje, trajtim shkencor dhe tregtim. Madje herë-herë vaji, që në realitet është pasuri e tejvyer kombëtare, ishte pjesë e atyre mallrave që çanin “bllokadën imperialiste”.
Dhe kështu vendi ynë i bekuar,fshtari ynë i shumëvuajtur por i zgjuar, vijon që të kultivojë këtë bimë simbol të paqes, të begatisë dhe mirësisë.
Se cilat janë vlerat e vajit të ullirit këtë e di edhe çdo buf që fluturon në hapësirën shqiptare. Dhe këtu nuk është aspak vendi që të tregojmë vlerat kurative, mjekësore, ushqimore , deri edhe zbukuruese të ullirit të cilit i përdoren edhe gjethet, edhe lulet e kokrrat, edhe degët e rrënjët, edhe trungu, madje edhe hiri e emri…
Gjithçka që i përket kësaj bime hyjnore.
Për fatin e madh të fshatarëve dhe tërë pronarëve qytetarë dhe konsumatorëve të ullinjve, kjo bimë këtë vit pati prodhim tepër të begatë. Disa prej pronarëve u zunë në befasi si Xhitja, Palushi, Eslemi… se nuk kishin punëtorë për t’i vjelë. Disa të tjerë u ankuan se nuk nuk u vinin vjelës me atë çmim për ditë pune, të tjerë anekënd Shqipërisë ku ka ullinj, kishin ankesa se nuk po gjenin fabrika për t’i dorëzuar, etj etj. Të shumtë janë edhe ata që ankohen se shteti nuk po i ndihmon për grumbullim, përpunim dhe tregtim nëpër tregjet europiane, etj.
Po ja që sot, dhjetor 2022, del ministresha e bujqësisë, Krifca, dhe deklaron (me keqardhje jam i detyruar ta them, edhe pse disi jashtë etikës, tërësisht si një e shkolluar e shkalluar) në krye të shkallëve të Kryeministrisë se “fajin e kanë fshatarët që kanë mbjellë dhjetë milionë rrënjë ulliri…“!?
Për një të tillë deklaratë, sikur kjo të ndodhte në kohën e diktaturës së proletariatit, që tek ne ka 35 vjet që është përmbysur, ministers nuk do t’i zinin më këmbët dhè as një minutë dhe sytë nuk do t’i shikonin më diell për të paktën 30 vjet!
Kjo është deklaratë antikombëtare dhe nuk e rrok as imaginta se mund ta thotë një axhami e jo më një ministreshë apo ministër! Në vend që të kryejë detyrën ndaj popullit duke marrë masat urgjente për të administruar, manexhuar, nikoqirisur dhe sistemuar tërë hallkat e këtij zinxhiri që vlerësojnë këtë pasuri kombëtare jashtëzakonisht të çmueshme e me dobi të pallogaritshme ekonomike e psikologjike, ajo del e fajëson fshatarët! Vaj medet, o vaji ynë i ullirit se në dorë të kujt ministrie, qeverie, partie e shteti ke rënë!
Është për të vënë duart në kokë që qeveria shqiptare e Edi Ramës gjen kohë, parà dhe mend për të blerë dronë për mbrojtje ?!, satelite për vrojtim e saktësim krimesh, inceneratorë korruptivë, gjeneratorë detarë që nga Bangladeshi, skulptura qensh nga lindja e perendimi, dhe nuk gjen dot mend, kohë, lekë për të menaxhuar prodhimin e ullirit që, prej shekujsh, na e fal toka mëmë me aq pak harxhime e mundime.
Kjo situatë e këtij viti e vajit të ullirit ka vetëm një emër: vepër qeveritare antikombëtare!…