Xhamia dhe hamamet e harruara nën Kalanë e Gjenevizit në Skrapar
Nëse të bie rruga në Çorovodë, pasi ke vizituar objekte me interes të këtij qyteti, si natyrore, kulturore, por edhe ato historike, të del koha të bësh edhe një vizitë në Slatinjë, 4 km larg më këmbë, mes hijeshisë dhe bukurisë të këtij fshati, mes gjelbërimit në verë, dhe një koloriti marramendës në dimër, por edhe në objektet historike të këtij fshati, unikale në Shqipëri, Banjat Turke.

Slatinja ndodhet në jug-perëndim të Çorovodës, një fshat punëtor, i pastër, me njerëz që ruajnë zakonet dhe traditat e të parëve, të këndshëm në muhabete dhe shumë mikpritës.
Edhe pse, si lagje e qytetit, nuk pati ndonjë privilegj të madh në kohën e socializmit, të bëhej fermë bujqësore, se kishte plot resurse e mundësi të tilla, për vreshta, pemtore, stalla blegtorie, por mbeti ashtu siç ishte, pjesë periferike e kooperativës bujqësore të Grepckës.
Tani një pjesë e mirë e fshatit ka ikur nëpër qytete, në Çorovodë dhe Tiranë. Ata që kanë ngelur i janë përveshur punës, duke shtuar sasinë e vreshtave dhe pemtoreve, pasi edhe tregun e kanë afër.
Gjëja e veçantë që ka ky fshat, në krahasim me të tjerët, është se në qendër të tij ka objekte arkeologjike me interes për t’u vizituar nga turistët dhe udhëtarët kuriozë.

Të tilla janë xhamia dhe banjat me avull.
Xhamia dhe banjat me avuj, apo hamamet, e Slatinjës janë ndërtuar gjatë periudhës së sundimit osman. Hamamet e famshme të Slatinjës kanë qenë një veçori e rrallë në Shqipëri. Sipas studiuesve, ato u ndërtuan kryesisht për nevojat e ushtarëve me origjinë osmano-turke, të cilët e kishin të përhapur dhe të preferuar këtë mënyrë të higjienës dhe të jetesës.
Slatinja mendohet të ketë qenë dikur një garnizon ushtarak. Me largimin e ushtrisë, vendbanimi gradualisht u popullua nga banorë vendas dhe jeta aty mori një tjetër zhvillim.
Xhamia dhe hamamet ishin objekte të ndërtuara posaçërisht për të përmbushur nevojat fetare, higjienike dhe të jetës së përditshme të ushtarëve, udhëtarëve dhe banorëve të kësaj qendre. Studiuesit mendojnë se hamamet u shërbenin, në radhë të parë, ushtarëve të garnizonit osman të vendosur në Slatinjë, por edhe trupave që mbronin Kalanë e Gjenevizit.

Vendndodhja e Slatinjës, shumë pranë Kalasë së Gjenevizit, e bën edhe më të kuptueshme këtë funksion ushtarak. Kalaja, e cila ndodhet në territorin e Skraparit, është vizituar edhe nga udhëtari i njohur osman Evlia Çelebiu, i cili e përshkruan si një fortesë me rëndësi ushtarake.
Koha dhe transformimet e mëdha që kanë përshkuar qendrat e banuara kanë bërë që këto dëshmi të së kaluarës të mbërrijnë deri në ditët tona të dëmtuara, të rrënuara ose të transformuara.
Një dëshmi interesante është edhe fotografia e përdorur në kopertinë, ku shfaqet një grup njerëzish përpara xhamisë së Slatinjës në vitet ’60–’70 të shekullit të kaluar. Fatkeqësisht, sot edhe ajo pjesë e mbetur e xhamisë nuk ekziston më.
Edhe hamamet, të cilat ndodheshin pranë xhamisë, janë rrënuar. Me zhdukjen e tyre është humbur një pjesë e rëndësishme e gjurmëve të jetës dhe të organizimit të kësaj qendre gjatë periudhës osmane.

Një tjetër dëshmi që lidhet me karakterin ushtarak të zonës mund të kërkohet edhe te disa mbiemra që kanë mbetur në familjet e Kalasë dhe të Slatinjës. Ndër ta përmenden Dizdari dhe Myzyri, emërtime që lidhen me terminologjinë ushtarake dhe administrative osmane.

Dizdar vjen nga persishtja: diz – kala, fortesë dhe dâr – ai që mban ose kujdeset. Pra, fjalë për fjalë, dizdar nënkupton “mbajtësin” ose “kujdestarin e kalasë”; në terminologjinë osmane, ishte personi përgjegjës për mbrojtjen dhe komandimin e një fortese.
Ndërsa myzyr, nga osmanishtja müşîr, ishte një titull i lartë ushtarak, që i përgjigjej gradës së marshallit. Në periudhën e vonë osmane, një myzyr mund të ishte edhe komandant i lartë ushtarak ose drejtues i një province, në varësi të kohës dhe funksionit që mbante.
Kështu, krahas rrënojave të xhamisë dhe hamameve, edhe emrat që kanë mbetur në kujtesën familjare e lokale mund të jenë dëshmi të një kohe kur Slatinja dhe Kalaja e Gjenevizit përbënin një hapësirë me funksion të rëndësishëm ushtarak dhe strategjik.
Sot, shumë prej këtyre gjurmëve nuk janë më të dukshme. Por ato mbeten pjesë e kujtesës historike të vendit dhe meritojnë të ruhen, të dokumentohen e të përcillen te brezat që vijnë.
#Zylyftar Hoxha# #Blog#
