Xhaxhai ynë, në Londingam, te Bajroni!…

Xhaxhai ynë, në Londingam, te Bajroni!…

Zylyftar HOXHA

 

Kjo pjesë është shkruar dhe botuar te gazeta “Dielli i Tomorrit” që në vitin 2005.

E risjellim në faqet e “Orakujve të Tomorrit” në shenjë homazhi për mikun tonë të paharruar, njeriun e urtë, fisnik e të mirë, Tefik Rama nga Barçi i Tomorricës.

 

 

Atë e ke gjithmonë aty, te kafe “Evropa”, me ne, në tavolinë. Me historitë e tij të këndshme na heq si me dorë lodhjen e ditës. Një ditë të mungojë dhe ne shqetësohemi për shëndetin e tij. Por frika na del ditën tjetër, kur, me atë trupin e bëshëm e të plotë, por  edhe të rrezikshëm për moshën, shfaqet duke pritur dritën jeshile të semaforit për të ardhur aty, te ne.

Xha Tefiku është lezeti i bisedave tona. 70 vjeç, por i mbajtur, megjithëse ka kaluar një fëmijëri të vështirë, i rritur jetim, pa nënë e pa baba që i vogël.

 

“Por gjithçka e keqe te unë mori fund, thotë xha Tefiku, kur u martova me Fatimenë, më qëlloi njeri i mirë, shok i vërtet jete. Kemi tri vajza dhe një djalë, yje, të m’i falë zoti; vajzën e madhe, Mimozën e kam në Angli, punon në një firmë informatike; të mesmen, në Itali; ndërsa të voglën e kam këtu; Eltoni, djali, punon inxhinier në ndërtim. Nuk na i prishin, megjithëse ne pleqtë kemi huqet tona të liga. Gjëja tjetër që ma hoqi bonjakllëkun dhe më bëri njeri si gjithë të tjerët, thotë Xha Tefiku, ishte puna. Kam punuar në Naftë, në Kuçovë…”.

 

Dhe xha Tefiku vazhdon të flasë për jetën e tij, krenohet me të kaluarën, me punën e tij si naftëtar, se ka punuar mirë dhe drejtë, ka qenë një naftëtar i njohur në tërë vendin. Për të në atë kohë kanë shkruar gazetat “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”, dhe jo një herë, por disa herë, aq sa puna dhe fama e këtij punëtori të thjeshtë kish arritur deri në vesh të Enver Hoxhës, i cili e përmend në dy vepra të tij si një naftëtar që shqetësohet jo vetëm për sektorin e tij, por për mbarëvajtjen në përgjithësi të punëve në naftë.

 

Është i çuditshëm ky xhaxhai ynë, kur shkoi para tre vjetësh në Londër te Mimoza, vajza e tij, i kërkoi asaj ta çonte te varri i Bajronit, këtij fisniku të madh anglez që i donte shqiptarët dhe që ka shkruar për ta vargje brilante.

 

Megjithëse 200 km larg, nga Londra në Londingam ku qe varri i Bajronit, vajza nuk i a prishi. Bashkë me të, me një karafil që e kish marrë nga Shqipëria në dorë, ai shkoi atje, vendosi karafilin në librin e hapur prej mermeri dhe, duke hequr kapelen nga koka në shenjë nderimi, tha:

 

“Erdha te ty, o burrë i lartë, me porosi të miqve të mi shkrimtarë si ti, të Xhevahir Spahiut, Fatos Arapit, Pano Taçit, Zylyftar Hoxhës, me të cilët rri shpesh atje në Shqipëri, për të të nderuar, se ti i ke dashur dhe respektuar shqiptarët, dhe ne, kush na do, e duam”!

 

Tefik Rama, personazhi ynë interesant me origjinë nga Barçi i Skraparit, është një këngëtar i mirë, bilbil i këngës popullore. Por ai është edhe një mbledhës i shkëlqyer i folklorit dhe traditës popullore.

 

Në një bllok të trashë, që ia ka lidhur dhe shtypur vajza e Italisë, ai ka hedhur këngë të krahinës, toponiminë e fshatit, zakonet në dasma, në lindje, në vdekje, kulturën e jetesës, të gatimit. Çfarë s’gjen në “veprën” e xha Tefikut, që, sido tepër personale, ka shumë vlera.

 

Tiranë, Kafe “Evropa”, 2005